Transmetuar më 15-05-2019, 06:18

Shtatë shtetas shqiptarë me banim në Francë dhe Shqipëri, të akuzuar për vjedhje me forcë të rreth 70 apartamenteve gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar në zonën e Nansit, në Francë, janë ndaluar pas një opracioni të përbashkët policor franko-shqiptar. Lajmi u bë i ditur në një konferencë të posaçme për median pasditen e së hënës në Nansi, nga kryeprokurori i rajonit, Fransua Perain dhe prokurori shqiptar Besim Hajdarmataj.

Sipas tyre vlera e sendeve të vjedhura përllogaritet në rreth 300 mijë euro. Bëhet fjalë për bizhuteri, sende me vlerë dhe para kesh.

Prokurori francez Perain e konsideroi rast të suksesshëm bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar.

Ndërsa prokurori Hajdarmataj e vlerësoi këtë operacion si “një sinjal të qartë për grupet kriminale shqiptare që e konsiderojnë Shqipërinë si një vend ku mund të fshehin gjurmët e krimeve të kryera në Francë”.

Duke dhënë hollësi prokurorët thanë se në Francë u arrestuan 4 anëtarë të familjes Kajtazi, të drejtuar nga Arif Kajtazi, të cilët janë rezidentë prej vitesh në rajonin e Nansit. Ndërsa në Shqipëri u ndaluan Besnik Fufi, Alfons Perloka dhe Aleks Marku.

Për këta persona, gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.

Në bazë të hetimeve të përbashkëta franko-shqiptare bashkëpunimi rezulton në faktin se familja Kajtazi u siguronte Fufit, Perlokës dhe Markut banesën dhe mjetet për realizimin e vjedhjeve.

Tre të arrestuarit në Shqipëri, pasi kryenin vjedhjet në Francë, riktheheshin në qytetin e tyre, në Laç, ku depozitonin sendet e grabitura.

Dyshohet se grupi ka kryer vjedhje në seri në rajonin e Nansit në Francë, por edhe në Belgjikë e Itali.

Arrestimi i 7 personave të dyshuar u realizua në mënyrë të njëkohshme në Francë dhe në Shqipëri. Për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit mes Francës dhe Shqipërisë, tre të arrestuarit në Shqipëri do të gjykohen nga Gjykata për Krime të Rënda.

Ndërsa 4 shqiptarët e arrestuar në Francë pritet të gjykohen nga autoritetet gjyqësore të Nansit.