Transmetuar më 14-05-2019, 20:40

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas lënies në burg të disa protestuesve të opozitës.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se me këto vendim Rama vërtetoi se i trembet revoltës së qytetarëve, dhe dëshmon dhunën shtetërore të komanduar nga kreu i qeverisë.

“Mbajtja në burg e protestuesve të opozitës, është një akt tjetër më shumë që dëshmon dhunën shtetërore të komanduar nga Edi Rama, i cili i trembur nga frika e revoltës popullore, po përdor edhe drejtësinë njësoj siç bën me policinë, me shpresë se do të mund të ndalë uraganin e protestës qytetare”, thuhet në deklaratë.

Kjo forcë politike shkon më tej duke i konsideruar si politike vendimet e marra ndaj qytetarëve.

“Nga ana tjetër, është dëshmia e rradhës e vendimeve të një drejtësie politike, që e vënë e gjitha nën thundrën e një pushteti të ngritur mbi krimin elektoral dhe që mbahet ende prej krimit të organizuar, po i shërben Edi Ramës me shpresë se ky do të mund ta shpëtojë vetingut”, vijon deklarata.

Ndërkohë, LSI nënvizon se protesta ka për ta përmbushur qëllimin e saj për “largimin nga pushteti të Kryeministrit, peng të krimit, që po mban peng të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Gjykata vendosi sot që të lërë në burg 20 protestues, për 11 të tjetë u vendos masa arrest shtëpie, dhe pë 19 të tjerë, detyrim paraqitje. /k.k/noa.al/