Transmetuar më 14-05-2019, 14:48

Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të largohet nga pushteti përndryshe shqiptarët do ta hedhin në Lanë dhe nuk do ketë më kur të pleqërojë. Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se Rama duhet ta harrojë 30 qershorin dhe nuk duhet të presë më Lulzim Bashën pasi ai nuk e takon.

“Rama me bythë në tepsi. I paralizuar në qeverisje, ide, reflektim, përgjegjësi. I ndrydhur në logjikë, ndjeshmëri e shëndet mendor, kjo është grafia politike e Ramës sot. Situatë dramatike, e rënduar, pa dritë, pa shpresë, kaotike, gaz helmues, bomba, kapsolla, molotov, këto ka prodhuar Edi Rama me keq qeverisjen dhe arrogancën e tij.

Çfarë po kërkon Opozita e bashkuar dhe qytetarët sot? Zgjedhje të parakohshme, qeveri kujdestare, kërkesa minimaliste. Je kapur me “presh në dorë” more shoku, duke vjedhur zgjedhjet dhe taksat e shqiptarëve. Një burrë shteti jep dorëheqjen në të tilla skandale, kërkon të hetohet dhe i hap rrugë drejtësisë dhe vendit”, shkruan Ndoka.

Më tej ai shton se, “Ndërsa ti ke humbur vetëdijën si kryeministër, si politikan, si qytetar, si prind. Je ulur me bythë në tepsinë e pushtetit. Aty han, aty pin, aty dhjet, aty qeveris, aty urdhëron, aty shtrihesh, aty po gjen “paqe” dhe mburoje… Reflekto Edi Rama! I ke bllokuar rrugën europiane popullit tënd, i ke humbur shpresat popullit tënd, i ke zhytur në varfëri e mjerim qytetarët e këtij vendi.

Kur do ikësh ore burrë? Se kupton se do të tërheqin zvarrë megjithë tepsi dhe do të hedhin në Lanë! Shqiptarëve ju është ngritur, o KM, po të kërkojnë, në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo institucion. Më mirë ik, largoju! Merre tepsinë, mbaje si mburojë nga prapa, ditë të këqija po vijnë për ty”.

“Ku do shkosh nesër kur të dalësh nga Lana more burrë, ku do pleqërosh? Ti ke bërë aq shumë armiq në këtë vend dhe po vazhdon akoma. Në Vuno nuk të qas Kokëdhima, në Tiranë nuk të hap rrugë Ver Llapa, në Beograd nuk të lë Agron Duka, në Greqi të pengon Vangjel Dule, në Maqedoni nuk lë vend për ty Dashamir Shehi, në SHBA të pengon Demalia, në Kosovë të mbyt Buzhala. Ku do pleqërosh o burrë, o burrë, leri pak vend vetes, mendo edhe për nesër. Një vendim pozitiv sot, jep shpresë për nesër, për ty dhe për vendin. Mendohu more shoku, ke edhe pak ditë kohë. Ah, se harrova të them; harroje 30 qershorin”, shton Ndoka.

Në fund ai i drejtohet Ramës që të mos e presë më Bashën sepse ky i fundit nuk e takon më. “Në shi, në ballë me qytetarët, me shokë shumë, i vendosur, konseguent, i qartë… Mos e prit kot, nuk të takon, më dëgjo mua! Më vjen keq, më shumë se kaq nuk mund të ndihmoj! Mos thuaj nesër, si nuk më tha njeri, se ku isha futur?! Ok shoku, lexoje dy-tre herë, se nuk ta kam me të futur…”, përfundon Ndoka.