Transmetuar më 14-05-2019, 14:06

Kryeministri Edi Rama është shprehu i hapur për të mirëpritur ndihmën e ndërkombëtarëve në procesin e dialogut që po i kërkohet liderëve të opozitës me qeverinë për të zgjidhur krizën politike.

Kreu i qeverisë tha se nuk ka nevojë për ndërmjetësimin e të huajve për tu ulur në dialog, pasi ai theksoi se është shprehur gjithmonë i gatshëm, mbi të gjitha që tashmë dialogu është mëse i nevojshëm për vetë qytetarët që po përballojnë një sërë protestash të dhunshme të opozitës joparlamentare.

Shefi i mazhorancës u shpreh i palëkundur se nuk do të ketë asnjë negociatë për të shtyrë zgjedhjet vendore të 30 qeshorit 2019, pasi nuk mund të kapërcehet Kushtetuta.

“Sa i takon dialogut nuk kam nevojë as për gjermanë, as amerikanë, as holandezë apo francezë, për tu ulur dhe dialoguar. Personalisht. E kam thënë dhe e përsëris dialogu është i pazëvendësueshëm në një proces demokratik normal. E kam kërkuar edhe kur nuk kishte fishekzjarre. Sot pala tjetër kishte më shumë nevojë për dialog, edhe vendi ka shumë më shumë nevojë për dialog.

Në leximin tim miqtë gjermanë kanë shprehur gadishmërinë për të ndihmuar. Është shumë e mirëseardhur por negociata nuk ka. Të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhen me 30 qershorit. Sepse nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e  Shqipërisë.

Në një marrëveshje të 2017 kam refuzuar shtyrjen dhe u shtynë një javë. Nuk shtyhen asnjë ditë se presidenti mes 23- 30 ka zgjedhur 30 dhe zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor dhe në këtë pikë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar. Qeveria nuk prodhohet me protesta dhe nuk zëvendësohet me dhunë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama ka folur në konferencën e sotme me gazetarët për moskandidimin e Vangjush Dakos në Durrës dhe Qazim Sejdinit në Elbasan. Sipas Ramës, moskandidimi ishte kërkesë e vetë Dakos dhe Sejdinit, pasi 12 vjet në krye të dy bashkive të mëdha janë shumë.

“Mua nuk më rezulton të ketë dalë ndonjë përgjim me Vangjush Dakon por kanë dalë disa përgjime në thyerje të sekretit hetimor për një grup kriminal dhe mes atyre pëgjimeve ka dy komunikime që nuk tregojnë asgjë për Vangjush Dakon.

Zëvendësimi qoftë i Vangjush Dakos apo i Qazim Sejdinit në Elbasan jeni të lirë ta besoni ose jo është kërkesë e tyre prej kohësh.

Tre mandate, 12 vjet në krye të dy qyteteve të rëndësishme janë shumë. Janë jashtëzakonisht shumë. Është konsum i madh dhe nevoja për të sjellë energji të reja dhe për të shtyrë më tutje punën e nisur është evidente”, u shpreh Rama./b.l/noa.al/