Transmetuar më 14-05-2019, 01:47

Prokuroria shqiptare vazhdon të shënojë rezultate të ulta në hetimin e rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë ndërsa për krimin e organizuar shumë raste të hetuara nuk dërgohen për gjykim.

Konstatimi është dhënë nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj gjatë një takimi me Kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku dhe prokurorët e rretheve.

Gjonaj vuri në dijeni organin e akuzës me rekomandimet e Këshillit të Ministrave për vitin 2019 duke u ndalur kryesisht në tre ‘shtyllat’ kryesore: lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj pastrimit të parave dhe ndaj korrupsonit.

Ndonëse raportimi ishte negativ për punën e organit të akuzës, Kryeprokurorja Arta Marku u mjaftua me një kërkesë drejtuar prokurorëve të rretheve.

Viti 2019 është edhe një vit elektoral. Ndaj, nisur nga situata në të cilën ndodhet politika me mazhorancën që mbetet e vendosur për të respektuar datën kushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe opozitën në krahun tjetër e cila deklaron se në këtë datë nuk do të mbahen zgjedhje, ministrja Gjonaj kërkoi nga prokurorët ashpërsimin e masave ndaj atyre që cënojnë zgjedhjet e lira.

ETILDA GJONAJ, FJALA E PLOTË:

Po prezantoj Rekomandimet Prioritare që duhen ndjekur për vitin në vazhdim në luftën kundër kriminalitetit, të cilat u miratuan nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e datës 10.5.2019.

Këto rekomandime i përcillen organit të prokurorisë në ushtrim të përgjegjësisë shtetërore të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë, për ndjekjen dhe realizimin e politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e drejtësisë dhe në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit reciprok të pushteteve.

Parimi i ndarjes së pushteteve sjell edhe nevojën për një bashkëpunim të ngushtë midis të gjitha organeve të sistemit të drejtësisë me qëllim përmbushjen e detyrimeve kushtetuese, ligjore që gjithsecili prej nesh ka marrë përsipër kundrejt qytetarëve shqiptarë.

Lufta kundër kriminalitetit nuk është prioritet vetëm i Qeverisë Shqiptare por i të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë në funksion të shtetit duke përmbushur kështu jo vetëm një rekomandim në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian por edhe të misionit për shtetformimin dhe për ti ofruar qytetarëve shqiptarë sigurinë e jetës, për të siguruar rendin publik dhe atë kushtetues.

Në mënyrë të vazhdueshme kam dhënë edhe publikisht vlerësimin për prokurorët dhe drejtuesit e prokurorive për punën dhe angazhimin e tyre në luftën kundër kriminalitetit por nga ana tjetër duhet një përpjekje më e madhe nga prokurorët por edhe vetë drejtuesit për të mbyllur më shpejt proceset hetimore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe me integritet, në respektim të dispozitave të ligjeve materiale dhe atyre proceduriale.

Vështirësitë që has organi i akuzës, në këtë moment kur zbatimi i reformës në drejtësi është në një fazë të avancuar dhe në një moment historik, janë të njohura dhe të mirëkuptuara. Prandaj Qeveria shqiptare ka marrë dhe po merr të gjitha masat për të adresuar të gjitha këto sfida që lidhen dhe me trajtimin financiar dhe dinjitoz të prokurorëve, të sigurimit të jetës së tyre por njëkohësisht edhe garantimin e buxheteve të nevojshme në kuadër të instrumentave për të luftuar dhe hetuar krimin si një prioritet i shtetit shqiptar.

E kam vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme ushtrimin e detyrimeve ligjore të prokurorëve dhe procesin transparent të realizuar nga Prokuroria e përgjithshme, për të ngritur një nga Institucionet më të rëndësishme qeverisëse të sistemit, sic ishte ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në dhjetor 2018.

Një sërë procesesh të rëndësishme për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për ngritjen e të gjithë kuadrit institucional të parashikuar është në proces, duke përfshirë këtu edhe procesin për ngritjen e Prokurorisë së Posacme për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Jam besimplotë se ngritja e prokurorisë së posacme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë në rifitimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe do të shënojë një gur themeli në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë tashmë ka filluar procesin për ngritjen e kësaj strukture ashtu si dhe për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, institucione këto shumë të rëndësishme në funksionimin e Drejtësisë së Reformuar. Po ashtu duhet që KLP te ndërtojë këto procese mbi standarte që promovojnë vlerat, ligjshmërinë, pavarësinë dhe pandikueshmërinë në proces.

Prezantimi i Rekomandimeve përkon me përmbylljen me sukses të miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të paketës së plotë ligjore të reformës në drejtësi duke përfshirë këtu miratimin së fundmi dhe të ligjit për policinë gjyqësore i cili me përmirësimet që janë bërë synon rritjen e përgjegjësive të kësaj të fundit në zhvillimin e hetimeve profesionale dhe efikase në luftën kundër kriminalitetit nën drejtimin e kontrollin e prokurorit, në përputhje me ndryshimet e vitit 2017 të Kodit të procedurës penale.

Së fundmi Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe vendimin për krijimin e Polit të Drejtësisë, zbatimi i të cilit do të sigurojë infrastrukturën e nevojshme dhe bashkëkohore për akomodimin e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në mënyrën më të shpejtë të mundshme.

Për vitin në vazhdim Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit të Drejtësisë pas konsultimit me Ministritë përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese ka miratuar Rekomandimet për vitin 2019. Ashtu si dhe Ministria e Drejtësisë në suazën e re kushtetuese dhe ligjore ka përgatitur raportimin për zbatimin e rekomandimeve të vitit 2018 bazuar në raportimin e Prokurorisë së përgjithshme si dhe një sërë institucionesh të tjera, mekanizma ndërkombëtare.

Rekomandimet kanë për qëllim dhe synojnë garantimin e funksionimit efektiv të organit të prokurorisë, parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut duke ecur paralelisht me reformat ligjore, institucionale që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë.

Gjatë vitit 2019 prioritet do të jetë dhe vijimi i reformës në drejtësi nëpërmjet reformës ligjore antikrim që Qeveria Shqiptare do të ndërmarrë nëpërmjet një procesi analizues dhe ndërhyrjesh në Kodin penal.

Një ndër prioritet kryesore mbi bazën e të cilës janë dhënë dhe rekomandimet përkatëse është Lufta kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë për vitin 2019 si masat parandaluese por edhe në masat ndëshkuese për hetimin, gjykimin dhe dërgimin përpara përgjegjësisë të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në cështje korruptive.

Jo vetëm si Ministre e Drejtësisë por edhe në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, si një përgjegjësi në nivel kombëtar për luftën kundër korrupsionit një sërë rekomandimesh drejtuar organit të prokurorisë lidhet me masat që duhet të merren në hetimin e veprave penale të korrupsionit.

Nga të dhënat për vitin 2018, rezulton se ka një ulje të numrit të personave nën hetim pavarësisht rritjes së numrit të cështjeve të korrupsionit në krahasim me vitin 2017.

Por ajo që përbën shqetësim dhe jam e bindur që bashkohemi në këtë cështje është pikërisht dërgimi për gjykim i një numri të vogël të procedimeve penale, rreth 8.6% të numrit total të cështjeve të rregjistruara. Dhe në krahasim kjo edhe me vitin 2017 konstatohet një rënie e numrit të çështjeve me 112 cështje më pak.

Për këtë arsye, Qeveria ka rekomanduar krijimin i një historiku solid me hetime, ndjekje penale dhe dënime për korrupsion, sidomos në nivele të larta, jo vetëm si një ndër rekomandimet e Bashkimit Evropian për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit por edhe në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi.

Gjithashtu për vitin 2018 vihet re se numri i përgjithshëm i veprave penale të referuara dhe kallzuara është 46892, nga të cilat vetëm 109 janë vepra penale të filluara kryesisht nga Prokurori, ose rreth 0,23% e numrit të përgjithshëm. Nga këto vetëm 20% janë të filluara kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit.

Duke mbajtur në konsideratë shifrat e ulëta të fillimit të veprave të filluara kryesisht rekomandohet zbatimi efektiv i ligjit nëpërmjet rritjes së numrit të hetimeve proactive.

Në drejtim të luftës kundër korrupsionit rekomandojmë një ashpërsim të politikave penale në drejtim të masave të sigurimit vecanërisht në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë kjo në vlerësim të këtij prioriteti si më i rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit.

Do të duhet që të bëhen përpjekje nga prokurorët për përmirësimin e cilësisë së hetimeve me qëllim suksesin e kërkesave të prokurorit në gjykatë pasi vihet re që një numër I ulët procedimesh përfundojnë me dënime nga gjykata.

Nga të dhënat e vitit 2018 në krahasim edhe me vitin 2017 vihet re një rënie e numrit të çështjeve të rregjistruara për veprat penale të pastrimit të parave. Pra vijon të mbetet një numër i vogël hetimesh pasurore të kryera nga organi i prokurorisë që lidhen me veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që për vitin 2018 është rekomanduar rritje e numrit të hetimeve proactive, shtimi i hetimeve sistematike pasurore dhe rritje e numrit dhe të cilësisë së hetimeve sidomos të rasteve të zyrtarëve të lartë publikë.

Për këtë arsye pjesë e rekomandimeve të miratuara nga Këshilli I ministrave për vitin 2019 vijon të jetë në të njëjtën llogjikë për shtimin e numrit të hetimeve sistematike pasurore dhe veçanërisht rritje e numrit të aseteve të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara.

Me qëllim për të bërë hetimin sa më efikas dhe kur cdo ditë e më shumë vihet re një shtrirje të këtyre veprave penale jo vetëm në territorin e Republikës së shqipërisë, është rekomanduar që të forcohet bashkëpunimi jo vetëm me agjensitë ligjzbatuese por edhe ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve pasurore financiare që lidhen me veprat penale të korrupsionit.

Me rëndësi është të përmëndim dhe forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta me agjencitë e zbatimit të ligjit të përfshira në luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe oficerët e policisë gjyqësore.

Prioriteti i dytë shumë i rëndësishëm është lufta kundër krimit të organizuar

Lufta kundër krimit të organizuar është një nga kryefjalët e luftës kundër kriminalitetit, një ndër prioritet kyçe të qeverisë, pikë së pari si një detyrim i të gjithëve ne, ndaj qytetarëve shqiptar por edhe si një ndër rekomandimet kryesore të Bashkimit Evropian.

Forcimi i bashkëpunimit me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, është një tjetër drejtim në të cilin është fokusuar Qeveria Shqiptare.

Në vitin që lamë pas, nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Eurojust-in dhe ratifikimi nga Kuvendi i shqipërisë, ishte një hap shumë pozitiv i zhvilluar në një kohë shumë të shpejtë, i cili krijon mundësinë e një shkëmbimi të sigurt dhe efiçent të informacionit gjyqësor dhe shkëmbimit të provave me organet dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare në funksion të rritjes së efikasitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Kjo marrëveshje ka për objekt zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it në luftën kundër krimeve të rënda, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke lehtësuar dhe bashkërendimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale që mbulojnë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe një ose më shumë Shtete Anëtare të Bashkimit Europian nëpërmjet krijimit dhe financimit të ekipeve të përbashkëta hetimore.

Me caktimin e prokurorit ndërlidhës në Hagë, do të bëhet e mundur krijimi i një mekanizmi shumë më efikas në luftën e krimit të organizuar me karakter transnacional. Do të duhet që Prokuroria e përgjithshme në një kohë shumë të shkurtër, të marrë të gjitha masat për plotësimin dhe sigurimin e kushteve të nevojshme teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave personale, krijimi i regjistrit për komunikimet me Eurojust me qëllim finalizimin e këtij procesi tepër të rëndësishëm dhe të vlerësuar pozitivisht dhe nga Bashkimi Evropian.

Kur shikojmë shifrat në krahasim me vitin 2017, rezulton se shënohet një rritje e ndjeshme e numrit të çështjeve të regjistruara prej rreth 2,5 herë më tepër krahasuar me vitin 2017 dhe rritje e numrit të personave nën hetim me rreth 2 herë më tepër . Por besoj ndajmë të njëjtin shqetësim lidhur me numrin e çështjeve të dërguara për gjykim dhe numrit të personave të marrë si të pandehur i cili ka një rënie krahasuar me 2017 .

Për këtë arsye nevojitet shpejtësi në procedurat hetimore dhe dërgimin e dosjeve në gjykatë, dhe është konsideruar tepër e rëndësishme dhe rritja e numrit të hetimeve proaktive me qëllim identifikimin, dërgimin në gjykatë dhe dënimin e drejtuesve të organizatave kriminale që lidhen me veprat penale të krimit të organizuar.

Si një shqetësim i të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtare, por edhe autoriteve qëndrore të huaja, me rëndësi është zhvillimi I hetimeve financiare cilësore lidhur me rastet e organizatave apo grupeve të strukturuara kriminale me fokus rritjen e numrit të aseteve të sekuestruara, që në fazën fillestare të hetimit dhe rritje të numrit të aseteve të konfiskuara. Mbajtja e të dhënave gjithashtu në mënyrë periodike na ndihmon ne si Ministre e Drejtësisë për të bërë raportimin korrekt dhe në kohë në të njëjtin model si vendet e tjera të rajonit.

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, trafikut të drogave është një nga drejtimet ku është fokusuar lufta kundër krimit të organizuar. Suksesi i institucioneve dhe strukturave të ngarkuara me parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe përdorimit të kanabisit në vend matet me identifikimin, zbulimin, ndalimin dhe vënien përpara drejtësisë të financuesve dhe drejtuesve të grupeve dhe rrjeteve kriminale.

Dobësimi i financave të rrjeteve kriminale të krimit të organizuar dhe terrorizmit nëpërmjet sekuestrimit dhe konfiskimit te pasurive dhe të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal është po ashtu një tjetër drejtim kryesor ku duhet të fokusohet lufta kundër krimit të organizuar. Nga të dhënat e 2018 në krahasim me vitin 2017 konstatohet se ka rënie të numrit të çështjeve të hetuara dhe gjykuara për këto vepra penale dhe ajo çfarë është më e dukshme është ulja e numrit të procedimeve dhe i të pandehurve që janë dërguar për gjykim nga organi i prokurorisë. Për këtë arsye rekomandimet kanë shkuar në drejtim të përmirësimit të këtyre të dhënave për veprat penale të Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale .

Nisur dhe nga një sërë vërejtjesh, që Shqipëria ka marrë në kuadër të konstatimeve dhe të rekomandimeve të Komitetit Moneyval lidhur me pezullimin ose pushimin e një sërë procedimesh penale për pastrimin e parave të lidhura me vepra të rënda, qeveria ka rekomanduar përmirësimin e hetimeve dhe rritjen e procedimeve që dërgohen në gjykatë për gjykim. Prandaj më vjen mirë që këto konstatime dhe rekomandime janë adresuar dhe nga Prokurorja e përgjithshme në analizat vjetore me prokuroritë e rretheve.

Një rekomandim tjetër është forcimi i bashkëpunimit me organet dhe agjencitë ligjzbatuese kombëtare dhe ndërkombëtare në rastet e krimit të organizuar që lidhet me financimin e terrorizmit, organizimin dhe drejtimin e organizatave kriminale, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qënieve njerëzore, pastrimit të produkteve që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale.

Një hap i rëndësishëm që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe masave konkrete që po ndërmerren në kuadër të kësaj lufte shënon dhe hyrja në fuqi e ndryshimeve të ligjit, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, ose të regjimit të posaçëm të sigurisë së lartë, i ashtuquajturi nga të gjithe “neni 41 bis”.

Ligji parashikon regjim të posacëm për të dënuarit/ paraburgosurit në burgun e sigurisë së lartë, për një kategori të caktuar veprash penale me synimin kryesor ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe/ose parandalimin e komunikimit me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera. Këto masa shërbejnë drejtëpërdrejtë në luftën kundër krimit të organizuar dhe në këtë process jemi bashkë me partnerët Italianë, Ministrinë e drejtësisë italiane por njëkohësisht një ndër bashkëpunëtorët më të mirë Prokurorisë Antimafia italiane. Së bashku me prokurorinë e përgjithshme dhe me prokurorinë e krimeve të rënda kemi marrë të gjitha masat për zbatimin e rregjimit të posaçëm 41 bis.

Një sërë masash të tjera në aspektin e sigurisë të prezantuara për herë të parë si bllokuesit e valëve, ngritja e sallës operacionale në IEVP, janë marrë pikërisht me qëllim luftën kundër kriminalitetit.

Masa të tjera në vijim do të merren për të patur rezultat më të dukshëm në dobësimin e krimit të organizuar por edhe në ndihmë të hetimeve dhe procedimeve që kryhen nga agjensitë ligjzbatuese dhe prokuroria.

Respektimi i të drejtave të njeriut është padyshim një nga prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare me fokus të veçantë te grupet vulnerable të shoqërisë. Për këtë arsye janë rekomanduar një sërë rekomandimesh lidhur me rritjen e kërkesave për dënimeve alternative për autorë me rrezikshmëri të ulët shoqërore, për zbatimin e kodit penal për të miturit me qëllim trajtimin e të miturit në kontakt me organet e drejtësisë në zbatim të legjislacionit, ashpërsimin e masave të sigurimit dhe masës së dënimit për veprat me natyrë gjinore dhe diskriminuese, si dhe për rastet e keqtrajtimit/abuzimit/shfrytëzimit e trafikimit të të fëmijëve.

Duke mbajtur në konsideratë numrin e pakët të procedimeve penale të rregjistruara për veprimet që cënojnë rendin kushtetues ose zgjedhjet elektorale, rekomandohet kryerja e hetimeve të shpejta, efektive, dhe ashpërsim të dënimit për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues.

Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar ndërmjet agjencive ligjzbatuese ndikon drejtëpërdrejtë në rritjen e efektivitetit të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe është premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë lidhur me hetimin dhe goditjen e kriminalitetit.

Vlerësojmë se bashkëpunimi i organeve të hetimit jo vetëm me oficerët e policisë gjyqësore dhe përfshirja e tyre në hetim me qëllim efektivitetin e burimeve njerëzore, sjellë jo vetëm hetime të plota dhe të gjithashme, por dhe finalizim me sukses të çështjeve të regjistruara, duke shmangur referimet fiktive dhe hetime të dështuara me pasojë moshetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të elementëve të rrezikshëm kriminalë. Përmend këtu edhe bashkëpunimin me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve me qëllim evidentimin e saktë të veprave penale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve dhe zhvillimin e një hetimi efikas.

Bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i informacionit dhe i përvojës, organizimi i operacioneve të përbashkëta dhe mbështetja logjistike dhe financiare nga partnerët ndërkombëtarë është po aq i rëndësishëm në suksesin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë vitit 2018 janë shënuar një sërë bashkëpunimesh, kjo falë edhe mbështetjes së Komisionit Evropian, duke krijuar një sërë grupesh hetimore të përbashkëta, duke përmendur këtu sidomos bashkëpunimin me Italinë duke I dhënë një vlerë të shtuar bashkëpunimin edhe me magjistratin Italian të ndërlidhjes në Ministrinë e Drejtësisë.

Bashkëpunime të mëtejshme do të shënohen edhe me vende si Hollanda, Gjermania, Franca të cilat se fundmi kanë shprehur nevojën në bashkëpunimin e grupeve hetimore të përbashkëta dhe shumë shpejt grupe të ndryshme të prokurorive do të jenë në shqipëri për të konkretizuar bashkëpunimin.

Një rekomandim shumë të rëndësishëm për të cilën Ministria e Drejtësisë në mënyrë të vazhdueshme duhet të raportojë edhe para institucioneve evropiane, janë pikërisht të dhënat statistikore të integruara mbi hetimet dhe vendimet për veprat penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj rekomandoj në emër të Qeverisë, forcim të koordinimit ndërinstitucional në lidhje me të dhënat statistikore në fushën e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave, në kuadër të raportimeve që lidhen me procesin e integrimit të vendit.

Qeveria Shqiptare do të vijojë të japë gjithë mbështetjen e nevojshme si në drejtim të kuadrit ligjor dhe atij infrastrukturor, por njëkohësisht kërkon angazhimin maksimal të gjithë institucioneve ligjzbatuese, në marrjen e masave për luftën kundër korrupsionit, goditjen e krimit të organizuar në të gjitha format e tij, intesifikimin e luftës kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar, në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të individit, barazinë e shtetasve përpara ligjit, dhe angazhimeve të saj ndërkombëtare.

Në fund të këtij takimi më lejoni të falenderoj edhe njëherë Prokuroren e Përgjithshme për organizimin e këtij takimi, dhe inkurajoj secilin drejtues në kapërcimin e të gjitha sfidave që kemi përpara bashkarisht, duke ju garantuar mbështetjen maksimale lidhur me arritjen e rezultateve pozitive në luftën kundër kriminalitetit, si një obligim i të gjithëve ne, i të gjithë aktorëve për të arritur këto prioritete për qytetarët.