Transmetuar më 13-05-2019, 20:20

Opozita e bashkuar po zhvillon mbrëmjen e sotme protestën e saj të radhës në kryeqytet, me thirrjet “Rama ik”.

Ndryshe nga protesta e kaluar kjo e sotmja është një marshim protestë dhe me itinerar të përcaktuar.

Zyra qendrore e OSBE ka bërë një deklaratë për situatën në Shqipëri, ku shprehin shqetësim lidhur me protestat e dhunshme në Shqipëri, ndërsa bëjnë thirrje për përmbajtje dhe dialog.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE theksojnë se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një parakusht themelor i një shteti demokratik, ndërsa shtojnë se ka ardhur koha për të hartuar një platformë të brendshme për dialog.

‘Por institucionet e vendit janë gurët themelit të demokracisë dhe thelbësore për stabilitetin politik dhe sundimin e ligjit. Dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare janë të papranueshme’, vijon deklarata e tyre.

“Trazirat nuk janë zëvendësuese për angazhimin politik demokratik. Ata presin çdo shans për dialog – dhe për këtë arsye çdo shans për të gjetur një bazë të përbashkët. Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe qytetarëve të Shqipërisë që të tregojnë përgjegjësi, të demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të veprojnë me përmbajtje. OSBE do të vazhdojë të mbështesë procesin demokratik në Shqipëri.

Një përshkallëzim i krizës në mënyrë do të pengonte përparësitë strategjike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ka ardhur koha për të hartuar një platformë të brendshme për dialog, e cila përfshin të gjithë aktorët relevantë, duke përfshirë të gjitha palët, shoqërinë civile dhe akademinë, për të kapërcyer dallimet dhe për të punuar së bashku në interesin më të mirë të Shqipërisë”, thuhet në reagim./a.k/noa.al/