Transmetuar më 13-05-2019, 18:53

Nën shiun që nuk resht, po vazhdon protesta e radhës e opozitës.

Qytetarët janë ftuar në këtë marshim proteste sipas opozitës “për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshne qe punon për mirëqenien e qytetarëve

LIVE: Minutë pas minute

21:12 – Përfundon protesta e opozitës

Rreth 3 orë zgjati marshimi i sotëm i opozitës, ku në orën 21:12 u zhvendosnë në selinë e PD-së ku Lulzim Basha iu drejtua me një fjalim.

21:00 – Protestuesit marshojnë drejt selisë së PD-së

Pasi marshuan në 5 institucione kryesore, protestuesit u kthyen në Partinë Demokratike, ku do të përshëndeten nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Për fat të mirë nuk u regjistruan akte të rënda dhune, ashtu sikundër në tubimet e kaluara.

20:48 – Hidhet Molotov në drejtim të Policisë së Tiranës

Protestuesit kanë hedhur bomba Molotov në drejtim të godinës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Madje, po ashtu janë hedhur edhe gurë duke thyer xhamat e dritareve.

20:40 – Protestuesit mbërrijnë te Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Pas Ministrisë së Brendshmë, të shoqëruar nga kryedemokrati Basha, protestuesit marshuan drejt itinerarit të fundit, te Policia e Tiranës.

“Polici e krimit” dëgjohen të thërrasin pjesëmarrësit në protestë, ndërsa më hërët pati disa situata te Parlamenti.

20:15 – Tentohet hyrja në oborrin e Parlamentit.

Protestuesit tentuan një hyrje në oborrin e Palramentit, por u penguan nga forcat e policisë, të cilët bënë thirrje që të shmangen aktet e dhunës.

19:47 – Protestuesit marshuan drejt Parlamenit.

Pasi qëndruan disa minuta te Drejtoria e Policisë së Përgjithshme të Shtetit, protestuesit marshuan drejt Parlamentit, aty ku në protestat e fundit janë prodhuar shumë ngjarje.

Thirrjet nuk ndalen në drejtim të qeverisë.

19:40 – Protestuesit mbërrijnë te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Sapo shkuan te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën thirrjet “policia e krimit”, protestuesit hodhën kapsolle në drejtim të godinës dhe forcave të policisë që ishin aty.

19:15 – Nis marshimi i protestueve drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kryedemokrati Basha ftoi qytetarët që të marshojnë fillimisht drejt Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Më pas Basha tha se marshimi do vijojë edhe në tre institucione të tjera, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

19:00 – Protestuesit hedhin flakadënë drejt kryeministrisë

Sapo nisi fjala e Lulzim Bashës, disa protestues hodhën kapsolle dhe flakadanë në derën kryesore të kryeministrisë.

Thirrjet filluan të shtoheshin gjatë artikulimit të Bashës se në protestën e fundit dhuna ishte më e ashpër nga policia ndaj qytetarëve.

18:50 – Basha niset për te protestuesit

Kryedemokrati marshoi drejt vendit ku janë mbledhur protestuesit, teksa shoqërohej nga qytetarë dhe mbështetës së opozitës.

Teksa sapo shkoi përpara kryeministrisë ai iu drejtua me një fjalim të pranishmëve.

Në këtë protestë mungon sekretari organizativ i PD, Sahit Dollapi, i cili po merr trajtim intensiv në spital nga plagët e marra gjatë ngjarjes të së shtunës kur ai u ndalua nga policia. PD në një njoftim dërguar policisë, i ka bërë thirrje të “mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve”. “Policia e shtetit, në mënyrë të përsëritur, ka kryer akte dhune ndaj qytetarëve në mënyre kriminale dhe me urdhër politik, për te cilat PD ka kryer kallëzim penal” shkruhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi. PD pak kohë më parë ka bërë dhe një kallzim për përdorimin kriminal të gazit helmues kundër protestuesve sipas saj paqësorë.

Policia nga ana e saj në çdo protestë u ka bërë thirrje protestuesve të opozitës dhe drejtuesve të tyre, heqin dorë nga dhuna.

Në protestën e fundit ajo ju drejtua për herë të parë drejtëpërdrejtë kreut të opozitës Lulzim Basha, të përmbajë protestuesit.