Transmetuar më 13-05-2019, 16:22

Deputetja demokrate, Rudina Hajdari pak orë para protestës së opozitës ka bërë një thirrje që të shmanget dhuna, pasi siç ajo shprehet kundërshtarët politikë nuk janë armiqtë tanë.

“Duke marrë parasysh pasojat e dhunës të së shtunës dhe duke i uruar shërim të shpejtë Sahit Dollapit dhe të gjithë të lënduarëve, uroj që të shmangim përplasjen vëllazërore sot. Kundërshtarët politikë nuk janë armiqtë tanë dhe sjellja barbare i bën të baraz-fajshme të dyja krahët”, shkruan Rudina Hajdari.

Pasditen e sotme në 18.30, opozita ka thirrur protestën e pestë kombëtare, e cila vjen e përshpejtuar, pas agravimit gjatë protestës së të shtunës mbrëmja, e cila u shoqërua me dhunë dhe 50 të arrestuar.

Mësohet se protesta do të jetë në formë marshimi dhe do të drejtohet nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Për mbarëvajtjen e saj, janë shtuar edhe masat e policisë, ku flitet për 1700 efektivë në bulevard.

Po ashtu në protestë do të mungojë sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sait Dollapi, i cili po ndiqet në spital, pas dhunës së ushtruar ndaj tij nga ana e policisë.

Në vend të tij do të jetë sekretari për burimet Njerëzore, Ervin Minarolli, i cili do të ketë kontakte edhe me policinë.

Sakaq sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka njoftuar policinë se protesta do të zgjasë deri në mesnatë, si dhe ka bërë me dije se për aktet e dhunës së policisë është bërë kallëzim penal. /b.l/noa.al/