Transmetuar më 13-05-2019, 09:57

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin ditën e sotme për kryeprokurorin e Pogradecit, Sotir Kllapi.

Në vendimin e ditës së sotme u bë konfirmimi i tij në detyrë, duke dalë “i pastër” nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të vetingut.

Vendimi ndaj tij u dha nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relator Roland Ilian dhe anëtare Firdes Shulin.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për favorizimin e të pandehurve në një çështje për armëmbajtje pa leje dhe një të dytë për shitje narkotikësh.

Në rastin e “armëmbajtjes pa leje në banesë”, prokurori Kllapi tha se ishte bazuar në vendin e ngjarjes. Ai sqaroi se policia kishte referuar informacione operative se personi në fjalë mund të lëvizte me armë pa leje me vete dhe ishte mbajtur në vëzhgim për disa orë. Sipas Kllapit, F.B., ka dalë nga banesa e tij dhe ka shkuar në një ambient që dikur mund të ketë qenë lokal.

Sipas tij, atje kanë shkuar edhe dy persona të tjerë që janë thirrur nga pronari i ambjentit që ka qenë i mbyllur dhe jo i dukshëm për publikun. Prokurori Kllapi e konsideroi të drejtë akuzën që kishte ngritur, pasi ambienti në fjalë mund të konsiderohej si banesë dhe jo si një ambient publik.

Ndërsa lidhur me hetimin e katër personave për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryesuesi Lulzim Hamitaj ngriti pyetjen se përse nuk ishte ngritur akuza e “trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, pasi kishte të dhëna se personat e proceduar ishin kapur me drogë edhe në Maqedoni.

Prokurori Sotir Kllapi shpjegoi se hetimi ndaj katër personave kishte nisur pas referimeve të policisë së Korçës, që kishte marrë informacione operative nga homologët maqedonas pas kapjes së dy prej të proceduarve në Strugë të Maqedonisë dhe deportimit të tyre. /a.y/noa.al