Transmetuar më 13-05-2019, 08:41

Dalin detaje të reja lidhur me atentatin me armë zjarri të shënuar pasditen e kësaj të diele në Vlorë.

Në afërsi të urës së Mifolit, në autostradën Levan-Vlorë, rreth orës 18.30 të pasdites së djeshme, një makinë i doli përpara mjetit me të cilin udhëtonte 33-vjeçari Romario Alliraj, duke hapur zjarr me breshëri automatiku.

Alliraj ka shpëtuar pa e prekur plumbat, por sapo ka parë pritën, ka devijuar duke dalë nga autostrada.

Si pasojë e aksidentit 33-vjeçari i cili ishte nisur nga Vlora drejt Fierit, pësoi dëmtime të lehta, por pa u prekur nga plumbat, të cilat nuk kursyen mjetin.

Kjo pasi në derën e shoferit janë lënë gjurmë nga plumbat, çka fakton se shënjestra ishte pikërisht i riu vlonjat.

Alliraj u dërgua në spitalin e Vlorës për marrjen e mjekimit të nevojshëm, por pa rrezik për jetën.

Ndërkohë i riu po merret në pyetje për të zbuluar ndonjë konflikt të mundshëm të tij.

Makina tip ‘Golf’ me targa AA 864 SV, shihet e shpuar nga plumbat, ku policia flet për së paku 20 gëzhoja, çka shton dyshimet se qëllimi ishte pikërisht eliminimi i Alliraj.

I riu rezulton i ndaluar më parë nga policia për drogë dhe mashtrim. /a.y/noa.al

Nuk ndalen atentatet në Vlorë, një tjetër i plagosur

Breshëri plumbash ndaj një automjeti në Vlorë, një person i plagosur