Rama: Sa herë që mendoj protestat e opozitës, ia qaj hallin Ilir Metës
Transmetuar më 12-05-2019, 14:51

Nga konferenca e sotme për mediat, lidhur me protestën e së shtunës të opozitës, Kryeministri Edi Rama, nuk la pa komentuar qëndrimet e Presidentit Ilir Meta.

“Presidentit në momente protestash ia qaj hallin, miqësisht! Politikisht nuk mund të them se është jashtë kapaciteteve të mia për ta kuptuar situatën politike të tij, por miqësisht ia qaj hallin. Nuk do të doja kurrë të isha në vendin e tij, është në hall shumë të madh”, u shpreh Rama.

Ai tha se beson se Presidenti ka shumë të drejtë që nuk e ka thirrur asnjëherë për këtë çështje.

Rama deklaroi se e mirëkupton plotësisht Presidentin.

“Me gjithë ato që kanë ndodhur, mbetem i solidarizuar me Presidentin, sa herë mendoj protestat e opozitës, shpreh solidaritet njerëzor që çdo njeri i ndodhur në kushtet e tij meriton”, tha ndër të tjera Edi Rama. /a.y/noa.al

Rama, Bashës: Miku im rrugëhumbur, ulemi flasim! Turpi do të të ndjekë pas

Rama: Sjellja e policisë perfekte! I vetmi gabim, shkopinjtë e gomës mbi Dollapin

Meta tjetër reagim: Të ruhet qetësia, policia të evitojë dhunën e panevojshme

ryeministri Edi Rama në komunikimin me gazetarët, lidhur me zhvillimet e ndodhura në protestën e opozitës:

Në këto momente, kur pa diskutim të gjithë shqiptarët dhe jo ata brenda vendit vetëm, por edhe ata jashtë vendit i kanë sytë të mbërthyer tek ekranet dhe faqet e lajmeve, si rezultat i gjithë asaj që u shfaq mbrëmë, në formën e një manifestimi zinxhir të dhunës, më duket se e para është që të ruajmë qetësinë, vetëpërmbajtjen dhe padyshim vendosmërinë për të mos lejuar që një grupim i udhëhequr nga verbëria e dëshpërimit, të influencojë më shumë se sa ç’duhet në mënyrën tonë të të jetuarit të jetës së përditshme.

Së dyti, dua që të shpreh që në fillim solidaritetin më të madh dhe respektin më të thellë për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e policisë së shtetit.

Besoj që policia e shtetit në të gjithë këtë zinxhir protestash, ashtu sikundër dhe dje, kur protesta qartësisht u transformua në një manifestim brutal dhe të zgjatur dhune, ka treguar një profesionalizëm për t’u admiruar, një vetëpërmbajtje për t’u admiruar, një qetësi për t’u admiruar, dhe kanë vendosur një standard krejt të ri për historikun e uniformave blu pas rënies së komunizmit, si dhe kanë fituar me të drejtë admirimin e të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Ne nuk e konsiderojmë të qenit në të gjitha aspektet një shumicë qeverisëse në një nivel krejt tjetër në raport me të shkuarën si një arsye për të qenë të kënaqur me veten dhe natyrisht në këtë aspekt, aspektin e sjelljes së policisë së shtetit, në aspektin e qasjes së policisë së shtetit ndaj protestave, në aspektin e qasjes tërësore të forcës sonë politike dhe qeverisëse ndaj protestave, krahasimi me të shkuarën nuk vlen për të thënë shikoni se sa mirë dhe se sa me dinjitet sillet dhe punon sot policia e shtetit sepse e shkuara dhe jo e shkuara e largët, por e shkuara e afërt, na ka rezervuar kujtime shumë të rënda që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë standard, me asnjë vlerë, me asnjë parim të funksionimit të një policie shteti në një vend demokratik. Por mendoj se sot për shkak të histerisë me të cilën organizatorët e manifestimit të dhunshëm, por dhe disa media e trajtuan incidentin, e quaj incident – e do ta them pse, – me një nga organizatorët kryesorë të dhunës, më detyron t’ju kujtoj se kjo godinë, përpara pak kohësh në vitin 2011, nuk u qëllua me asnjë guriçkë dhe jo më me bomba e me zjarr dhe nga kjo godinë, u urdhërua vrasja e katër protestuesve të pafajshëm. U urdhërua shkrehja e karikatorëve të kallashnikovëve mbi protestuesit e paarmatosur, jo me armë, por me asnjë shishe benzinë. U plagosën mbi 40 persona me plumbat vdekjeprurës dhe pastaj u turr e gjithë trupa e keqpërdorur politikisht e forcave të ndërhyrjes së shpejtë e arriti të futet deri tek kulla përballë e arriti të ngjitet nëpër kate, duke masakruar kë i doli përpara. Mbi 130 persona të dëmtuar fizikisht nga dhuna krejt e panevojshme, në kushtet kur ju e dini shumë mirë, protesta ishte e përfunduar.

Kemi mbajtur njerëz nëpër shtëpia sepse ishin të trembur me të drejtë që të shkonin në spital. Një person që nuk dua t’ia sjell emrin, i përfshirë krejt pa lidhje nga ajo valë dhune, asokohe pronar i një televizioni, një nga pronarët, ka shkuar jashtë shtetit dhe është kuruar për brinjët e thyera me shpatull të nxjerrë. Ia kujtoj këto të gjithë shqiptarëve, jo atyre që kanë vendosur të mos dëgjojnë, por vetëm të flasin çfarë u vjen për mbarë në funksion të dhunës, për arsyen e thjeshtë se po, do të kishte qenë pa diskutim perfeksion, i gjithë qëndrimi i policisë së shtetit, dje në 7 orë sulme, nëse në ato 2-3 sekonda, dy punonjës policie nuk do kishin goditur me shkop gome dikë që i iku policisë me vrap. Dikush që i ikën policisë me vrap, ka një arsye pse ikën me vrap dhe më lejoni t’ju them që në vende me demokraci shumë më të konsoliduar se e jona, do ta kishte pësuar shumë më keq dhe mos harroni që të veprosh në ato kushte, të jesh nën flakë e nën gurë, e nën një presion shtazarak për 7 orë, duke qenë nën uniformën e policisë së shtetit, nuk është gjëja më e kollajshme dhe nuk janë kushtet më optimale për të pasur qetësi dhe qartësi në çdo moment. Kështu që unë i mirëkuptoj edhe ata të dy punonjës policie, të cilët bënë një veprim të tepërt padyshim, por të tepërt duke gjykuar ne nga ekrani, natyrisht me kollajllëkun që gjykohet një luftë kur e shikon në një film apo një ndeshje kur e shikon në televizor. Ama turp më të madh, hipokrizi më të madhe dhe përqeshje më të madhe me shqiptarët sesa atë incident, në aspektin teknik dhe në aspektin etik të sjelljes së policisë, ta kthesh në një histeri për të provuar se në 7 orë ishte polica e shtetit shkaktarja e gjithë asaj që pamë, nuk ka.

Nga ana tjetër, dua ta them këtë sepse kam pasur jashtëzakonisht shumë mesazhe. Mesazhe njerëzish të shqetësuar, njerëzish të dëshpëruar, njerëzish të revoltuar nga pamjet skandaloze që prodhoi dje një Shqipëri, që nuk është Shqipëria e popullit shqiptar. Është Shqipëria e një grupimi të dalë jashtë kontrollit të vetes që nuk kontrollon dot më vetveten dhe kërkon të nxjerrë jashtë kontrollit Shqipërinë. Njerëz, të cilët ankoheshin tek unë, pse nuk kundërveproni me forcë, pse nuk i fusni në burg këta. Dua ta them shumë qartë, ne nuk jemi ata, e para. Nuk kemi qenë ata, nuk jemi ata e nuk do jemi kurrë ata. Ne nuk kemi ardhur në qeveri që të bëjmë atë që bënin ata kur e thashë, nga kjo godinë merrnin jetë njerëzish të pafajshëm, ndërkohë që ata dje janë të fajshëm, por natyrisht, nuk meritojnë plumbin, nuk mund të shkojë mendja se meritojnë plumbin. Meritojnë ndëshkimin që e jep ligji dhe drejtësia, nuk e jep qeveria, nuk e jep kryeministri dhe natyrisht një drejtësi që është në transformim e sipër, një drejtësi ku gjykatës, të cilët e dinë shumë mirë që koha e tyre ka mbaruar, që karriera e tyre nuk ka më asnjë shans të vazhdojë, lirojnë nga burgu kriminelë në këmbim të parave apo ulin vite burgu për vrasës me damkë që do të thotë që është një proces jo i lehtë, por është një proces ku asnjë defekt, asnjë boshllëk, asnjë mangësi në zbatimin e ligjit nuk mund të zëvendësohet, duke ushtruar qeveria forcë të paligjshme. Është forcë e paligjshme ajo që kërkojnë dhe e kërkojnë me të drejtë njerëzit, ndëshkimin e këtyre rrugëhumburve që ju thotë mendja se mund të marrin peng dhe të nxjerrin jashtë kontrollit madje Shqipërinë, për shkak të pikërisht ankthit të tyre, në raport me drejtësinë. E kur them "të tyre", flas për ata që janë koka e gjithë kësaj veprimtarie të paligjshme dhe të turpshme për të gjithë ne dhe që kurrë nuk e kanë dashur, kurrë nuk e duan dhe kurrë deri në sekondën e fundit nuk do ta duan reformën në drejtësi në realitetin e zbatimit të saj, sepse i friken drejtësisë si djalli temjanit. E nga ana tjetër, në mënyrën më dritëshkurtër mendojnë se duke bllokuar integrimin europian të Shqipërisë, duke bllokuar çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian do fitojnë, kaq! Jo nuk do fitojnë as kaq, por do të humbasin me siguri edhe shumë nga ajo që kanë sot dhe shumë nga mbështetja e pakicës që për arsyet e veta i ka ndjekur deri këtu.

Koha më shpejt se vonë do ta provojë këtë gjë. E dua ta përsëris, nuk goditet qeveria, jo nga shtatë orë, por as nga 70 orë, as nga 700 orë, as nga 7000 orë kapsolla, bomba molotov, lëndë piroteknike të paligjshme, por goditet përveç policisë së shtetit e burrave e grave, djemve e vajzve nën uniformë të cilëve u rrezikohet jeta, Shqipëria. Kush fitoi nga përhapja në të gjithë pasqyrat informative të botës, e pamjeve të Shqipërisë së atyre 7 orëve. Kush fitoi? Mund të ma thoni? Kush fitoi? Askush! Kush humbi? Humbi çdokush! Humbi çdokush nga ata që erdhën në protestë, jo për të hedhur bomba molotov, jo për të ndezur zjarre, jo për të gjuajtur me gurë, por sepse besojnë në diçka tjetër, janë njerëz që në të përditshmen e tyre nuk jetojnë si udhëheqësit e tyre rrugëdalë.

Udhëheqësit e tyre rrugëdalë, punët e tyre i kanë në rregull.

Askush nga ata që i tërheq njerëzit në këtë protestë nuk rri pa gjumë për faktin se nuk di si do shtrojë tavolinën nesër për familjen e për fëmijët e vet.

Askush nga ata që të verbuar nga dëshpërimi prej humbësash kronikë, tërheqin pas tyre njerëz që kanë 1001 të drejta të mos e duan këtë qeveri, nuk shkon në shtëpi me pikëpyetjen ekzistenciale të të ardhmes së familjes së vet. Me pikëpyetjen e shumë familjeve të atyre që vijnë këtu, si do bëhet jeta ime ekonomike më e mirë nesër? Pra, jeta ekonomike e të gjithëve mbrëmë mori një goditje tjetër. Mbrëmë, nuk u goditën ata që i sollën njerëzit aty dhe që i pajisën me bomba molotov apo që u paguan kushedi se sa miliona lekë fishekzjarrë dhe kapsolla. Ata nuk e kanë problem, ata shkojnë me pushime jashtë shtetit. Mbrëmë u goditën ata që presin turistët për të ushqyer familjet e tyre, për të mbajtur bizneset e tyre dhe jo hotelet e mëdha vetëm, por çdo biznes të vogël që për shkak të turizmit fiton më shumë.

U goditën ata që çdo mëngjes shkojnë për të hapur derën e fabrikës, për të hapur derën e dyqanit, për të hapur derën e serës dhe që jetojnë duke shitur prodhimet në një treg ku patjetër konsumatori nuk vrapon të nesërmen të shkojë të konsumojë, por mbyllet në shtëpi.

Po i them këto, jo se nuk dihen, por për të thënë që nuk ka shanse, nuk ka shans, nuk ka shans teorik, jo praktik, teorik që të marrësh të rrëzosh një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhje, ku ti ke qenë pjesë e qeverisë, me këto forma.

Nuk ka shans, nuk ndodh.

Nuk ka ndodhur askund e nuk ka për të ndodhur as këtu. Kështu që natyrisht, unë e di, synimi është gjetkë, synimi është të vendoset vendi në kushte pamundësie dhe të shkatërrohet themeli i rendit kushtetues që do të thotë procesit zgjedhor për të konfirmuar se, o ne pushtet, o këtu vetëm kiamet.

Nuk do t’ia dalin. Ju siguroj.

Në çdo protestë janë gjithmonë e më pak, sepse ka gjithmonë e më pak njerëz normalë që arsyetojnë, që edhe pse janë të dëshiruar që kjo qeveri të iki sot, nuk e duan dhunën, nuk e mbështesin djegien e mandateve, nuk e mbështesin përshkallëzimin e protestave me thirrje dhe nxitje për dhunë dhe tërhiqen. Ndërkohë që, shumica ka qenë, është dhe do të mbetet kundër, qartësisht kundër, por sa më pak bëhen, aq më të dhunshëm, natyrisht shkojnë bashkë, se nëse është populli, populli vjen këtu 150 mijë dhe nuk ikën nga këtu po të jetë populli. Nëse populli shqiptar mendon si ata dhe nëse populli shqiptar do të besonte broçkullat e tyre dhe do të vuante nga ajo që ata bëjnë sikur vuajnë, por nuk vuajnë fare, asgjë, natyrisht që qeveria nuk rrinte dot në këmbë. Mirëpo nuk është kështu e nuk ka për të qenë kurrë kështu për sa kohë që unë jam këtu dhe që kjo forcë politike është në qeveri. E dini pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse shumica e shqiptarëve e di mirë që ne nuk jemi as të pagabueshëm, as pa gabime, por nga ana tjetër që ne jemi të vetmit që përpiqemi sa mundemi për të bërë më të mirën. Herë ia dalim, herë nuk ia dalim dhe nga ana tjetër, është kosto shumë e madhe në fakt për të bërë kontrastin por kontrasti është i qartë, dallimi është i qartë, jemi dy botë, kështu kemi qenë gjithmonë, jemi dy botë, por sot është shumë e qartë. Parafytyroni për një moment të vetëm, të gjithë ju që më ndiqni dhe ju që jeni këtu, sikur te ajo tribuna të isha unë dhe flakët, ndërkohë që unë flisja të vinin tek kjo dritarja këtu, do isha unë sot para jush duke folur? Do isha unë diku në globin tokësor duke marrë frymë apo do isha në botën tjetër sot? Përgjigja është e qartë. Përgjigja është e qartë kur paraardhësi im e ka thënë, ua ka thënë, "i vetmi pishman që kam është që nuk i dhashë një plumb ballit në 21 janar", pra jo vetëm që nuk bën asnjë reflektim, që nën qeverisjen e tij dhe me të këtu, në zyrë, nga dritaret e kësaj godine ka vrarë njerëz, por e ka pishman.

Parafytyroni për një moment veten tuaj, para ekraneve, duke ndjekur studiot televizive, nëse ai atje poshtë do isha unë mbrëmë. Por nuk dua të hyj më thellë në këtë, nuk kam asnjë dëshirë më të merrem me askënd që ka bërë zgjedhjen e vet në botën e mediave, e vutë re që në një takim se e kishit thënë nëpër studio që si ka mundësi? Nuk do dëgjoni më nga unë, asgjë tjetër, përveçse fjalëve të mira të prindit që ju do të mirën.

E fundit që kam, unë e di që mund të tingëllojë si predikim në hava e mbase është dhe predikim në hava, por një mesazh kam për mikun tim rrugëhumbur, Lulzim Bashën. Kujtoje mesazhin që të kam çuar kur i ke hyrë kësaj rruge. Ka kohë, shumë kohë përpara dhe po ta përsëris prapë, nuk je vonë akoma të kthehesh nga kjo rrugë për një arsye shumë të thjeshtë, që me shumë të drejtë, më herët se vonë, llogarinë, ata që të ndjekin do të ta kërkojnë ty, se nuk ka lider në botë, – po ti nuk je lider, – që ta tërheqë partinë e vet nga stacioni i një alternative qeverisëse, tek ky stacion, ku të dëgjoje dje me dhimbje dhe me zë të ngjirur që thoje aman ik, aman ik.

E patjetër që unë jam këtu gjithmonë, i gatshëm për dialog, i gatshëm për t’u ulur e për të diskutuar dhe fatmirësisht ata, me Lulzim Bashën në krye, thonë që nuk kanë më asnjë nevojë për karrige. I kanë djegur karriget e tyre dhe janë popull. Kështu që përderisa nuk kanë as nevojë për karrige, nuk kemi çfarë pse mos ulemi, se nuk duan as pushtet, nuk duan as karrige, duan thjeshtë të mirën e popullit. Ulemi, flasim dhe pa asnjë diskutim, ne marrim përsipër që t’i kthejmë në nisma ligjore e t’i kthejmë në verim të gjitha ato shqetësime që ata si popull kanë për të përmirësuar jetën e vendit. Patjetër, asnjë problem.

Nëse kjo s’është një luftë e ulët për të bërë një pazar, gjë që unë e besoj, sepse besoj gjithmonë çdo gjë që thotë Luli, atëherë jemi në rregull! Çdo shqetësim të ulemi dhe të flasim! Ta diskutojmë, ta negociojmë dhe të vendosim. Përndryshe, më herët se vonë, turpi do t’i ndjekë pas gjithë kohës ata, të cilët kanë ende mundësi të kenë turp, se jo të gjithë aty kanë ende mundësi të kenë turp. Kur të heqin vizën partnerët më të mëdhenj të këtij vendi s’ke më turp nga asgjë pastaj. E ke humbur mundësinë të kesh turp dhe je gati t’i heqësh vizën të gjithë Shqipërisë vetëm për të nxjerrë kunjin e barbarit që nuk bëhet kurrë qytetar.

Kaq kisha unë! Po natyrisht, ju kam ftuar që të bëni pyetjet tuaja!

-Përshëndetje zoti Kryeministër! Ju thatë pak më herët se jeni të gatshëm që të uleni dhe të dialogoni me opozitën, por opozita ka kusht kryesor për t’u ulur në dialog me ju, largimin tuaj nga detyra. A ka pasur një ndërhyrje, ose paketë propozimi nga faktori ndërkombëtar për t’ju ulur ju bashkë në një tryezë? A ka komunikuar Presidenti i Republikës me ju për të thirrur një tryezë diskutimi me të gjitha partitë e opozitës e të mazhorancës, partitë parlamentare? Opozita thotë se do të pamundësojë zgjedhjet në 30 qershor. Citoj zotin Basha në Pogradec, se, "nuk do të lejohet votimi, kuti votimi në kuti votimi". A i druheni një skenari të bllokimit të zgjedhjeve ditën e zgjedhjeve dhe si do të reagoni ju nëse do të vihet në jetë ky skenar?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjet, por veçanërisht për një pyetje që më jep mundësinë të them diçka që pa dashje e harrova. Dje, ose më saktë natën është kërcënuar ambasadori i OSBE-së, menjëherë pas një deklarate shumë të qartë të OSBE-së, që foli për organizatorë përgjegjës për dhunë kriminale. OSBE-ja, organizata që zakonisht kur flet duket sikur i ka të gjitha të peshuara në kandar farmacie, që do të thotë, që, kur OSBE-ja bën këtë deklaratë, një pyetje, mendoj, duhet t’ia bëjmë të gjithë vetes: a jemi vërtet të vetëdijshëm deri në fund se çfarë është kjo? Dhunë kriminale e pashembullt, se dikush në hije, dikush që ndihet i përjashtuar totalisht nga rrjedha e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore vesh jelekun e verdhë, del në Champs Élysées, ose tenton të shkojë deri në derën e Asamblesë Nacionale, siç quhet Kuvendi i Francës dhe e bën këtë, që është e papranueshme e patolerueshme, por sidoqoftë vjen nga dikush që ndjehet se s’ka zë, s’ka vizibilitet, s’ka asgjë për të humbur, por një grupim parlamentar që ka detyrimin kushtetues të përfaqësojë të tjerët që i kanë dhënë votën për të shkuar dhe për ta përfaqësuar, që del nga Parlamenti dhe pastaj vjen natën para Parlamentit me jelekun e verdhë, është fundi! Nuk ka ndërkombëtar që të ulet të bëjë një paketë për të propozuar negociata me këta. Nuk ekzistojnë. Nuk negociohet me jelekët e verdhë, jo më të negociohet me politikanë që kanë veshur jelekun e verdhë. Çfarë do negociosh në sytë e ndërkombëtarëve? Ndërsa për ne që jemi këtu, për mua që jam këtu dialogohet, patjetër, por, të negociojmë mandatin, d.m.th., ata mendojnë që, ne jemi si ata, që mandatin e marrë nga qytetarët e konsiderojmë një leckë, që mund ta grisin e ta shkelin si të duan?! Do të ishte shumë më normale që një kryeministër të mendonte edhe të largohej, jo unë, por një kryeministër në kushte kur ka një problem të brendshëm që nuk ka mundësi të garantojë mbështetje brenda grupit të tij parlamentar për një reformë të caktuar, apo kur ka një situatë të caktuar që lidhet gjithmonë me integritetin e mandatit. Po, ku ka kryeministër, unë jo e jo, në planet që të mendojë një sekondë të vetme se mund t’i bëjë vendit dëmin e jashtëzakonshëm të pranimit të një precedenti të tillë?! Nëse ky precedent që s’është precedent për këtë parti politike në raport me dhunën, sepse ka një histori dhune që e ka pjesë të profilit të saj, qysh disa kohë pas krijimit të saj do të kthehej një precedent në kulturën politike të një vendi, atëherë çdo opozitë bën këtë, vjen këtu hidh benzinë e vër shkrepëse edhe deklaro betejën për liri. Po si është kjo? Kush ia bën këtë? Duhet të jesh totalisht i papërgjegjshëm, ose kjo nuk ndodh, por për faktin që ka shumë më tepër kohë televizive, kohë medatike që konsumohet për Sahit Dollapin dhe shantazhimi i ambasadori të OSBE-së nga elementë qartësisht me potencial të lartë kriminal kalon si në flash si një "u përplas një mikrobus me një pemë, por nuk pati të lënduar", duhet të na bëjë të mendohemi, duhet të na bëjë të reflektojmë.

Për sa i përket Presidentit të Republikës në momente protestash unë ia qaj hallin sinqerisht, shoqërisht, miqësisht, politikisht nuk mund të them, sepse është jashtë kapaciteteve të mia për ta kuptuar situatën politike të tij, por ia qaj hallin realisht. Nuk do doja kurrë të isha në vendin e tij. Është në hall shumë të madh. Kështu që, për këtë arsye mendoj që ka shumë të drejtë që nuk më ka thirrur asnjëherë për këtë çështje. E mirëkuptoj plotësisht Presidentin! Me gjithë ato që kanë ndodhur, që ju i dini, nga pikëpamja e marrëdhënieve institucionet, që nuk dua t’i kthehem, mbetem i solidarizuar me Presidentin sa herë mendoj protestat e opozitës, një solidaritet njerëzor që ai, si çdo njeri i ndodhur në kushtet e tij, e meriton.

Për sa i përket zgjedhjeve, e thashë më parë dhe e përsëris, ata që dje ishin mbledhur këtu dhe që ushtruan dhunë dhe që u sollën vërdallë 7 orë nëpër Tiranë si huliganë futbolli të dehur tapë dhe të dëshpëruar nga humbja nuk janë as Shqipëria, nuk janë as demokratët shqiptarë. Të tillë mund të gjesh, mund dhe të paguash dhe mund dhe t’i mbledhësh aq sa ishin dje, por në Shqipëri ka 5500 qendra votimi dhe mbi të gjitha edhe shumë nga ata deri ditën e zgjedhjeve do të jenë informuar plotësisht se çfarë të ndodh nëse prek procesin zgjedhor. E ka Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Është shumë i qartë. Është shkruar bashkërisht me Partinë Demokratike, kur Partia Demokratike ishte në qeveri dhe është një nga produktet më solide të konsensusit politik, se çfarë duhet t’i ndodhë dikujt që prek zgjedhjet. Por, përfitoj nga rasti t’ua them përsëri dhe këtë herë t’ua them atyre: o fatkeqë që merrni në sy edhe ndalimin nga Policia, edhe ndëshkimin me heqjen lirie për të hedhur molotovë për llogari të Saliut, të Lulit, të fallxhores, të të tjerëve me radhë a e kuptoni se çfarë bëni, apo jo? Po mirë, qoftë dhe duke i parë kështu thjesht, pa i dëgjuar, duke ulur zërin e televizorit, duke i parë në fytyrë, mendoni që ato fytyra janë fytyrat e njerëzve që mendojnë një sekondë për ju? Vërtet e mendoni këtë? O fatkeqë, vërtet e mendoni këtë? Po pse, çfarë jeni ju? Trami i Tiranës, që dukej sikur ishim në tram kur e thoshte Luli që do bëhet trami? Artist! Artist! Kur thoshte do bëj tramin, dukej sikur ishim në tram të gjithë. Ju s’jeni trami. Ju jeni njerëz që natyrisht keni 1001 arsye që mos më shihni mua në sy fare, fare. Janë arsyet tuaja. Nuk i diskutoj fare. Por s’keni një arsye të vetme që të bëheni trami që shkon pas Lulit, se nuk është se është ndonjë tram që ju sjell dhe në pushtet. Le njëherë se, ç’pushtet?! Cili pushtet për ju? Ata ishin në pushtet, po kur keni qenë në pushtet, po kur pushteti ishte për ju, ma thoni? Ah, nëse ju i doni ata në pushtet që të mos paguani më drita, kjo është temë tjetër. Nëse i doni ata në pushtet që mos paguani më ujë, nëse i doni ata në pushtet që të ndërtoni pa leje te Parku "Rinia", apo te rrethrrotullimi i "Astirit", nëse i doni ata në pushtet për këto ju mirëkuptoj, por as këto nuk jua bëjnë dot, se nuk vijnë dot në pushtet. Nuk kanë si vijnë. Është antihistorike e gjithë rruga e tyre. Historia e Shqipërisë sot është rruga për të çelur negociatat me Bashkimin Europian, është rruga për t’u bërë më të mirë dhe më të fortë si shtet dhe për t’u bërë natyrisht edhe më të mirë si qytetarë dhe më të fortë ekonomikisht, por nuk është rruga për të marrë shishet dhe pasi të pish birrën që të jep Muli, të fusësh benzinën që të jep Luli. Ku shkojmë? Nuk e di!

-Zoti Kryeministër, nga ajo që thatë, duket qartë për ne dhe për të gjithë shqiptarët që ju vijoni të qëndroni konstant në qëndrimi tuaj. Do doja të di, nëse ju personalisht dhe maxhoranca qeverisëse e ka një mekanizëm për t’i hedhur ujë zjarrit të molotovit dhe jo për ta shtuar atë?

Kryeministri Edi Rama: Ka një shprehje që ne shqiptarët e kemi të shpeshtë: "hapi rrugë budallait!" Bën sens në jetën e përditshme, por kur flasim për mandat… Po mirë, a e vini dot veten një sekondë në pozitën e atyre që më kanë besuar mua dhe që janë shumica? Ishin dhe janë shumica padiskutim. A e vini dot veten një sekondë në pozitën e atyre që mund të mos më kenë besuar mua, por që besojnë se në këtë vend duhet të ketë ligj dhe rregull dhe jo kush bën rolin e budallait, që, "unë do hidhem në erë, po nuk më dhe këtë" duhet të marrë atë që kërkon, si do ndihej në rast se kjo rrugë do të provojë rruga që do të nxjerrë diku? Kjo rrugë nuk nxjerr asgjëkund. Kjo është qorrsokak. S’ka nxjerrë asnjë parti politike askund, asgjëkund asnjëherë, sepse faktikisht asnjë parti politike nuk e ka provuar këtë rrugë, përveç Partisë Demokratike këtu, që e ka bërë dhe herë të tjera, në kushtet kur flasim për një sistem që ka një shumicë të zgjedhur, ka dhe një opozitë. Kështu që, nuk është puna se jam unë konstant. Puna është se konstantja e një sistemi demokratik është shumica qeveris, pakica bën opozitën. Nuk ka konstante tjetër sistemi demokratik. Shumica, për sa kohë është shumicë ka gjithë detyrimin të garantojë për pakicën barazi në rregulla. Nuk dua t’i hyj këtu tani çfarë kanë bërë ata, çfarë kemi bërë ne në këtë aspekt, por shumica nuk ka as mundësinë, as detyrimin, jo e jo, që të marrë me zor partitë e tjera e t’iu thotë futuni në zgjedhje, por nuk ka as mundësinë dhe ka detyrimin që të mos e bëjë që, meqë s’po shkoni ju në zgjedhje, s’po shkojmë as ne në zgjedhje dhe hajde ulemi ta flasim. Çfarë do flasim? Ka 4 vjet që janë bërë zgjedhjet vendore. Ka ardhur koha që qytetarët të zgjedhin përsëri. Si është kjo tani? Si? Ku është? Natyrisht që përpjekja për ta personalizuar synon që të krijojë idenë që këtu problemi është ky. Patjetër, unë jam problemi, se nuk më mundin dot. Unë jam problemi. Nuk më mundin dot. Nga ana tjetër, duke krijuar këtë situatë kërkojnë që t’i bëjnë njerëzit sa më të dëshpëruar që të thonë njerëzit "hajde zgjidhe". Po "hajde zgjidhe" shumica nuk e thotë. Shqetësimi im, e thashë dhe pak më përpara dhe sikleti im me shumicën është çfarë më thonë mua deri në 02:00, deri në 03:00, deri në 04:00 të natës. Ka nga ata që thotë "ik, më mirë". Po pse? "Ik më mirë përderisa nuk i fut dot këta në burg këta sonte!" Këtë nuk e bëj dot. S’është detyra ime. S’është përgjegjësia ime. Shyqyr që jemi në këtë sistem dhe shyqyr që s’është detyra dhe përgjegjësia ime, se kam frikë se po të ishte …. Kështu që, kjo është përgjigja ime. Për sa i përket ujit, ujë kanë marrë gjatë gjithë kohës dje. Do vazhdojnë të marrin ujë, sipas protokolleve. Ah, edhe një gjë. Po mirë, po kjo historia e gazit, si është kjo? Gazin që përdor Policia, mos ndoshta dikush mendon se e kemi shpikur në laboratorin e programit të Partisë Socialiste? Apo mos kujton dikush se e kanë prodhuar për ne oligarkët?! Gazi që përdor Policia është një lëndë importi dhe importohet për t’u përdorur si në çdo vend demokratik. Kam parë protestat në Francë, kam dëgjuar dhe atje lloj-lloj çudirash, në raport me çfarë dëgjoja kur isha në Francë shumë vite përpara, se, e kemi thënë që kur doli "Facebook"-i, budallain nuk e njeh më shtëpia e vet, kështu që, ka dhe atje shpërthim të madh të "Facebook"-it, që do të thotë të Lulzim budallait në mjedisin publik, por nuk kam dëgjuar kurrë një që të thotë "po na helmon qeveria me gaz". Një nuk e kam dëgjuar. Jo opozitën atje, se opozita atje, që në sekondën e parë dhe janë në një betejë politikisht për jetë a vdekje me presidentin, jo që nuk i ka mbështetur ata, por përkundrazi, i ka kërkuar llogari Presidentit, që, "pse nuk e sistemon dot këtë situatë", pra jo nga opozita por as nga ata me jelekë të verdhë s’kam dëgjuar një që të thotë të çojmë Presidentin e Francës në gjyq për krime kundër njerëzimit, se po na hedh gaz. Po mirë, pse shkon atje dhe hedh molotov? Pyetja ime do të ishte për ata, se këtë pjesën e shqetësimit për qytetarin dhe për fëmijët dhe rininë nga gazi dhe kjo partia e filxhanit, po ta vini re, janë disa nga ata që dalin dhe e përdorin gazin për të derdhur lot për qytetarin edhe thonë "ne kemi hallin e qytetarit, banorët, këta. Ç’është kjo punë?" Po mirë, këta çfarë presin. Sikur Policia të mos përdorte gaz çfarë do ndodhte? Gazi për atë është bërë. Është një mjet paqësor, lotsjellës për të larguar turmat nga një zonë ku turma rrezikon të vandalizojë dhe të rrënojë fizikisht institucionet. Këta thonë, "ne duam të ndezim flakë institucionet, madje fillimisht ne molotovin e përdorim, sepse ju nuk na lini të hyjmë brenda vetë, – se në fillim historia ishte "do hyjmë brenda", – tani, meqë s’na lini të hyjmë brenda, ne përdorim molotov, por ju nuk mund të përdorni gaz!" Po çfarë të përdorë Policia në këtë rast? 7 orë punonjësit e Policisë nën sulm. A e mbani mend se çfarë thuhej kur protesta më e ekzagjeruar që kemi bërë ne, filloi këtu dhe ishin tabelat me shkopinj që drejtoheshin nga Policia? A e mbani mend se çfarë u tha? A ju kujtohet? Tani, si? I gjuan policisë, i pret gishtat dhe e bën për spital jashtë shtetit punonjësen e Policisë me kapsolla, i hedh Policisë shishen me benzinë që i ndizet në trup, e çfarë do bëjë Policia atje? Ah po, e di, "policia është me dhe të vijë me ne!" Kjo po. D.m.th., duhet dhe Policia të kthehet këtej, të behet popull dhe Policia, ta lërë dhe Policia kapelën, siç la PD-ja mandatet dhe të sulmojë bashkë me Policinë institucionet! Ky është dëshpërim i pangushëllueshëm i një force politike, një grupimi, se janë grupim, që ka humbur komplet arsyen, se nuk ka mundësi.

Çfarë do më kishit bërë tani mua ju, ju tani që jemi këtu, – kemi bërë paqe dhe do të jetë paqe e qëndrueshme dhe e gjatë, – çfarë do më kishit bërë ju mua, sikur, në opozitë, të kishte aq kolegë tuajit të lënduar nga ndjekësit e partisë?! E imagjinoni çfarë do kishte ndodhur në disa nga ato studiot mbrëmë, sikur ata kolegët tuaj t’i kishte lënduar një protestë e opozitës tonë? Por nuk ka problem, unë di. Është e ndarë kjo punë: Me ata, ngaqë ka gjithmonë më keq, është Ok! Pra, 4 u vranë, por mund të ishin vrarë më shumë, kështu që, Ok! U masakruan 40 me plumba, por mund të ishin masakruar 400, Ok! U goditën disa gazetarë dje, mund të ishin vrarë dhe më shumë, kështu që Ok!

Kurse me ne, ka edhe më mirë, prandaj gjithmonë më shumë, më shumë, më shumë. Ok, për mua ky është nder dhe kompliment që nga unë dhe nga ne njerëzit kërkojnë më shumë, kurse nga ata thonë, shyqyr me kaq.

– A keni patur sot një takim me Prokuroren e Përgjithshme, kreun e SHISH dhe disa ministra të kabinetit tuaj? Nëse po, për çfarë teme?

Kryeministri Edi Rama: Po dhe një burim mediatik, madje e kemi listuar në atë listën e zyrës që punon me shpifjet, vazhdon, zyra punon, janë shumë gjyqe që janë hapur deri tani me shpifësit profesionistë të Partisë Demokratike, por do vazhdojë edhe me të tjerë pikërisht sepse kishte nxjerrë që unë e paskam thirrur këtu Prokuroren e Përgjithshme dhe i paskam kërkuar që në mënyrë të paligjshme të çojë hetimin për protestën e djeshme tek Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo më paska refuzuar, etj, domethënë një film. E kam thirrur, po, Prokuroren e Përgjithshme së bashku me drejtuesit e tjerë të agjencive ligjzbatuese, jo për protestën e djeshme, por për të nënvizuar domosdoshmërinë e vëmendjes së të gjithë institucioneve ligjzbatuese në një proces, ku dje është dhënë mesazhi i kërcënimit të rendit kushtetues dhe për të garantuar që ky mesazh nuk do të gjejë rrugë për t’u kthyer në pengesë për zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë të miat, nuk janë të Partisë Socialiste, nuk janë as të qeverisë, nuk janë as të një pale, zgjedhjet janë themeli i kësaj shtëpie që kemi vendosur ta ndërtojmë në një sistem bashkëjetese të ndryshëm kur vendosëm të asgjësojmë sistemin e vjetër të bashkëjetesës, janë themeli. Prekja e këtyre themeleve është prekje e të gjithë ngrehinës së përbashkët. Kjo është arsyeja.

– Është fakt që në këto 30 vite Z. Kryeministër, krizat politike kanë mbajtur peng sidomos pjesën e integrimit. Pse është kaq e vështirë për një udhëheqës, për një kryeministër të japë dorëheqjen, për më tepër kur ekziston bindja se është shumicë dhe mund të marrë votëbesimin e qytetarëve? Besoj, askush nuk do të ndjehej i tradhtuar!

Kryeministri Edi Rama: Sepse Kryeministri, i dashur, si institucion, nuk është kapiteni i një skuadre me porta të vogla, që ndeshet me një skuadër tjetër tek oborri i "Kinostudios". Është i mandatuar dhe ka një kontratë që nuk mund ta prishë, sepse mban përgjegjësi për atë kontratë në raport me ata që e kanë mandatuar. Nëse do të bënte këtë, e thashë edhe më përpara, Kryeministri do t’i bënte, së pari, një padrejtësi të madhe vendit, së dyti, një karshillëk të papranueshëm atyre që i kanë dhënë atë detyrë dhe së treti, të ardhmes, pasi  nesër të tjerë do të bënin të njëjtën gjë. Pra, është rregull bazik. Nuk është diçka që, e thashë, me porta të vogla, "çfarë doni ju, ju rrafëm? Si? Ju mendoni që ne nuk ju rrafim juve? Epo mirë hajde ta fillojmë edhe njëherë nga e para!" S’jemi në kushtet e këtij lloji karshillëku. Jemi në kushtet e një përgjegjësie të madhe. Nuk funksionon me shprehjen "hapi rrugë budallait". Jo, nuk funksionon, sepse bëhet fjalë për jetën e vendit. Nuk bëhet fjalë për mua personalisht, apo këdo qoftë në vendin tim, fare. Ju keni të gjithë të drejtën tuaj dhe kushdo ka të drejtën e vet të mendojë që të jesh në këtë vend ku jam unë është qejf, apo është, si të thuash, një gjë personale që ti e ke dhe e jep, apo e mban. Për mua jo. Për mua ky është mision i ngarkuar nga shumica e shqiptarëve. Sikur të ishte për të gjitha ato aspekte të pushtetit që shumëkush nga larg i shikon si privilegje, si favore, si kënaqësi etj…, sot, ju thosha, hajde t’ju jap një kafe, një çaj, apo një raki, po të doni, se po iki. Por, nuk jam këtu për ato aspekte. S’kam qenë që ditën e parë, pavarësisht se të gjithë janë të lirë të mos e besojnë. Jam këtu për disa arsye të tjera shumë të forta, që lidhen me arsyen pse unë jam ky që jam dhe nuk jam dikush tjetër.

– Z. Kryeministër, në një moment të fjalës tuaj ju pranuat se Policia, në një farë mënyre, e humbi kontrollin, vetëm në momentin e incidentit me Z. Dollapi. Çfarë na garanton se në protestën e nesërme, opozita ka paralajmëruar që do të jetë sërish në 18:30 përpara zyrës tuaj, Policia do ta humbi sërish kontrollin dhe ne ndoshta do të kemi një agravim të situatës? Pak më parë, ju na shtytë të imagjinonim se çfarë do të ndodhte nëse Lulzim Basha do të ishte në zyrë dhe ju do të ishit jashtë…

Kryeministri Edi Rama: Jo. Jo. Korrigjim, shefi i madh (Sali Berisha), jo ky i vogli.

– Ok! Pyetja ime do të ishte, ju çfarë do të bënit nëse do të ishit sot në vend të Lulzim Bashës dhe do të kishit përballë një Kryeministër, i cili ka shumicën në parlament në një kohë kur vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë dhe në një kohë kur ka disa dosje, disa përgjime të Prokurorisë për shitblerje votash? Cili do të ishte aksioni juaj politik, nëse do të ishit në vend të Lulzim Bashës sot?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka nevojë ta imagjinoj, sepse kam qenë, kthehemi përsëri mbrapa, kam qenë dhe faktikisht po i referohem periudhës kur ne në opozitë ndërmorëm të gjithë atë aksionin opozitar. Edhe kjo është e rëndësishme të kujtohet. Për çfarë e ndërmorëm ne aksionin opozitar? Çfarë kërkonim ne?! E imagjinoni ju, sikur Partia Demokratike të kërkonte këtë gjë, sa herë do ishte bërë deri tani?! Çfarë kërkonim ne? Kërkonim një komision hetimor parlamentar për të hapur të gjitha materialet zgjedhore dhe për t’i hetuar ato, jo në funksion të ndryshimit të rezultatit, por në funksion të përmirësimit të procesit dhe të hetimit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që mund të kishin falsifikuar procesverbalet. E kuptoni çfarë kërkonim ne?! E kuptoni për çfarë kemi arritur ne deri në pikën që të hyjmë në grevë urie?! Sigurisht që, nuk ishte e lehtë. Ishte një proces me tension, me të gjitha ato që sjell kur një opozitë është e angazhuar, bojkoti i Parlamentit, etj…. Erdhën zgjedhjet e 2011-ës. Ju e mbani mend shumë mirë çfarë ndodhi në Tiranë. Mua më kujtohet shumë qartë se çfarë ndodhi në Tiranë. Nuk po i diskutoj aspektet e tjera të procesit. Ne fituam zgjedhjet. Me 10 vota, por ne fituam zgjedhjet. E parafytyroni ju sikur t’i kishte fituar zgjedhjet me 10 vota Partia Demokratike dhe unë të isha këtu tani duke kënduar për ju, pasi të kisha përmbysur 10 votëshin me 40 vota?! E kuptoni? Lulzim Basha ishte bashkëkryeministër, në kuptimin politik. Kishte gjysmën e qeverisë në procesin zgjedhor. Kishte shumicën e Komisionit të Zgjedhjeve. Kishte kryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve. Kishte Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Burgjeve dhe ato të tjerat që i kërkoi dhe shiko çfarë bënë! Meqë më ktheve me "sikur", unë s’jam përgjigjur ndonjëherë me "sikur" përpara, por do ndërtojmë bashkë me ju, me mundim paqen tonë, po sikur të ishte ndryshe? Ndërkohë që, çfarë bëmë ne! Pas asaj situate, që erdhi puna, ju kujtohet tek KQZ-ja, besoj atëherë nuk ishte "Brryli" i madh e i pazëvendësueshëm, "Broadway" e kam fjalën, po fotoja epike e Taulant Ballës mbi kokat e forcave speciale dhe bëmë atë që na solli në pushtet, Ok? Thamë, deri këtu. Kush ishte, në fund të fundit, qëllimi ynë? Të blindonim zgjedhjet dhe faktikisht të gjitha ato ndryshime u bënë falë të gjithë asaj. Ajo solli një proces ndryshimesh në Kodin Zgjedhor, në Kodin Penal, pra ishte një proces i gjithi që na uli në tavolinë etj…, pra, ne e sollëm gjënë në një sensibilizim aq të madh saqë u bë e mundur që të bëhej një blindim i procesit zgjedhor. Pastaj, çfarë bëmë?! Bëmë të gjithë programin, rrugët e programit, takimet dhe pastaj erdhëm në pushtet. Unë këtë do bëja. Sikur "ai" të ishte "unë", do kishte fituar në 2017-ën.  Sikur "unë" të isha "ai", s’do fitoja dot as në 2021-shin. Ky është problemi! Këtë nuk e di si do e rregullojmë. Kjo nuk rregullohet dot.

Edhe një gjë tjetër për punën e Policisë edhe njëherë, nëse nuk do të ishte ai moment, që unë e mirëkuptoj plotësisht këtë të jemi të qartë, – i atyre dy goditjeve, policia dje do ishte perfekt. Do ishte perfeksion, në çdo aspekt. Ajo e cenoi pak dhe pastaj fale histerisë "dhunë, dhunë". Bujar Nishani e quante "rikthimi i torturës publike", pra u rikthye tortura publike e kohës, kur njerëzit torturoheshin rrugëve.

Kështu që unë ka një besim të madh tek forcat e policisë.

Më vjen shumë keq për ta, sinqerisht keq dhe u jap të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time. Respekt për të gjithë ata. Nga ana tjetër dhe diçka. Ishte një shprehje "jo më tani që ka hapur dosje". Është fatkeqësi, shumë fatkeqësi që disa gjëra shumë të thjeshta kthehen në legjenda që nuk mbarojnë kurrë.

Cilat përgjime?! Së pari njëherë, çdo përgjim në vetvete nuk përbën asnjë provë edhe sikur të jetë personi që flet vetë dhe i thotë të gjitha ato, që kur përgjohen mund të duken dhe mund të jenë kriminale. Nuk është provë. Nuk e merr dot dhe ta çosh në gjykatë tjetrin me kaseta.  Duhet hetimi për t’i provuar ato.

Së dyti, për këto dy dosjet e famshme, në Dibër u vendos në përgjim partia politike. Një parti e tërë politike, u vendos në përgjim si grup i strukturuar kriminal. E nuk ka asgjë deri tani, si përgjim që të na thotë se këtu ka një përfshirje të të gjithë atyre që janë bërë copë nëpër fjalime, media etj. Nuk ka asgjë. Ju po t’i kishit do i kishit nxjerrë. Unë si kam, njeri si ka. E kjo është një çështje hetimore, nuk është një çështje që zgjidhte në rrugë me molotov.

Vijmë tek Durrësi. Flasin për një kryetar bashkie, i cili përmendet në një fjali mes dy kriminelëve dhe vetë nuk ka asnjë bisedë, zero, ku të flitet edhe së largu për ndonjë gjë që lidhet me blerje apo shitje. Tani, si mund të jenë këto dy gjëra arsye për të vazhduar një storie pafund. Unë e kuptoj është dëshpërim, është mungesë argumentesh, është mungesë faktesh dhe politikisht ok, por ç’domethënë kjo që i bëhet një jehonë këtu dhe aty. E kjo ka qënë arsyeja pse unë kam reaguar ndaj "Zërit të Amerikës". Kam reaguar për shkak se "Zëri i Amerikës" në këndvështrimin tim, ka ca standarde që nuk mund t’i tejkalojë. Janë të patejkalueshme. Presidenti amerikan po të ishte këtu ose të ishin këta atje, do e kishin bërë shkrumb e hi Shtëpinë e Bardhë këta. Por nuk dëgjova një të vetëm – sikur dhe për të prishur atë syrin e keq, kur i thonë, ndonjë kongresmen apo senator – që të dilte dhe të thoshte "te sheshi, te sheshi".  Çështë kjo te sheshi?! "T’i shkojmë atje". Ku t’i shkosh?!

Nuk mundet dot partia politike të kthehet në "jelek i verdhë". Nuk mundet. S’është më parti politike. E ka thënë dhe herë tjetër, Vangjush Dako fitoi në 2007. Kush ishte në pushtet?! Fitoi në 2011. Kush ishte në pushtet?! Fitoi në 2013. Kush ishte në pushtet?! Do  të më thoni ju mua që partia politike e Lulit në 2017, Republika e Re, ishte më e fortë sesa partia e Saliut, e Jozefinës, e Ridvan Bodes?! Që të mos i përmend të gjithë. Këtë po më thoni?! Duhet vërtetë ta marrësh për budalla këtë popull që të ndërtosh strategjinë e fitores me këto broçkulla.

E mos e harroni eksperiencën e gjithë kazanit të përgjimeve që sollën kërkesën për arrest me burg të Saimir Tahirit brenda 24 orësh. Ato ishin pafund, lumë, dhe prokuroria e antimafies italiane që nuk është shaka, nuk provoi asgjë nga ato, asnjë lidhje direkte, etj, etj. Që do të thotë, që nuk vihen njerëzit në kryq me muhabete, me fjalime, me televizorë, me portale dhe me propagandë, "pse i doli emri aty", "pse unë them kështu", "pse ai thotë ashtu". Patjetër, le të bëhen të gjitha hetimet, padiskutim, për këdo. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese jo sepse ne e kemi eliminuar Gjykatën Kushtetuese, pra qeveria. Unë mezi po pres të bëhet Gjykata Kushtetuese, se unë skam ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme 24 orë me kompetenca të plota dhe duhet të vazhdoj të firmos si ministër për Evropën dhe  Punët e Jashtme, pavarësisht se vendimet i merr ai. Unë mezi po e pres Gjykatën Kushtetuese, por nuk është diçka që ka ndodhur sepse e eliminuam ne, apo që nuk po bëhet se nuk e lemë ne. Jo, është diçka që ka ndodhur sepse po ndryshon me themel sistemi i drejtësisë dhe ka dalë "shejtani nga djepi" dhe djepi është bosh dhe do të mbushet, por shejtani i ka dalë nga djepi. Çdo të thotë kjo, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese edhe nuk shkojmë në zgjedhje?! Po pse?! Ku hyn këtu Gjykata Kushtetuese me zgjedhjet?! Ku lidhet?! E kanë akoma Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në detyrë. Aty e kanë, ku lidhet kjo?! Unë nuk e kuptoj sinqerisht. E kuptoj që duhet ndërtuar kjo, duhet ndërtuar SPAKU, po nuk është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese që nxirret aty. Është fakti "po vjen SPAKU" që i nxjerr ata aty. Mos e harroni këtë gjë. Sepse SPAKU-n e kanë përfytyruar që në sekondën e parë si gogolin që do t’i hajë në gjumë dhe unë nuk e kuptoj pse. Po ata e dinë shumë më mirë pse. E dinë shumë më mirës sesa të gjithë ne, që dimë ndonjë gjë. Por dinë më shumë ata për veten e tyre.

-Zoti Rama ju dëgjova me shumë vëmendje edhe në pjesën e fillimit kur folët për 21 janarin. Ajo që nuk pajtohem me ju është fakti që thatë që nuk janë përdorur bombat molotov në 21 janar. Nuk e di ku keni qenë ju. Unë kam qenë gazetar me kohë të plotë atje. Dhe ju them se bombat janë përdorur në 21 janar, drejt institucionit, kryeministrisë. Shikoni videot. Gjithsesi, ajo që mund të them si gazetar në këtë kohë dhe në atë kohë, përjashtuar armët, – Po, keni shumë të drejtë, armët as nuk janë përdorur, as nuk janë parë tek policia, – por i gjithë arsenali me protestën e djeshme, si nga pala e protestuesve dhe nga pala e policisë është përdorur. Ajo që unë ngre si qytetar, si gazetar është çfarë do të ndodhë nesër. Sepse ia kemi bërë pyetjen Partisë Demokratike dhe na është thënë që tashmë pushtetin e ka populli dhe është e vështirë  të menaxhohet dhe se i kemi dalë borxhit kryeministrit. Nga ana tjetër, si do të sillet policia, kur nesër të përdoren mjete të tjera që ne nuk i njohim, as në 21 janar dhe as në protestën e djeshme. Kjo është një kërkesë shumë e drejtpërdrejtë. Besoj dhe të gjithë qytetarët do donin një përgjigje nga ju. Pra, si do të jetë kundërpërgjigja e policisë. E dyta, mirë ne që jemi në protestë, mirë protestuesit, e mirëkuptoj  sjelljen e policisë me gazin. C ‘taksirat kanë ata që jetojnë 300 metra larg nga vendi i protestës. E kam fjalën për sasinë e gazit. Dhe  e treta, kur do të bëhen transparente llojet e gazet që janë përdorur ne protesta nga 16 shkurti, sepse ndoshta në Francë, nuk e kanë provuar gazin që është përdorur në Tiranë.

Mund të ironizoni pyetjen time, por jam gazetar dhe kërkoj të i cfarë gazi kam thithur unë dje, kolegët e mi dhe të tjerë.  

Kryeministri Edi Rama: Ju lutem, unë qesha, por para se të cënosh paqen e brishtë që kemi, më lër ta them atë që kam për të thënë. Unë qesha dhe jo për ironi, por po mendoja sikur unë të mos kisha refuzuar armët kimike,  e mendoni se çfarë do të thuhej sot? Do të thuhej se "armët kimike që erdhën për t’u çmontuar në Shqipëri, po përdoren kundër PD". Por këtë nuk mund ta themi.

E dyta, unë me gjithë dëshirën që të përgjigjem, nuk jam drejtor i policisë së shtetit. Kam besim absolut nga gjithçka kam parë që drejtuesit e policisë së shtetit janë "top" në kuptimin që do të bëjnë gjënë e duhur. Kanë bërë gjënë e duhur dhe do të bëjnë gjithmonë gjënë e duhur. Edhe ajo që ndodhi dje, e përsëris, që ishte një incident, jo se u tejkalua ndonjë gjë, në raport me personin, në kuptimin e ndonjë dhune, por sepse nuk duhet të ndodhte, e prishi atë perfeksionin, – nuk ishte as plan as urdhër, ishte reagim i dy personave konkretë nën atë tension. Nuk e di asgjë të gjë ta them. Por di të them që kam shumë besim tek policia që do të bëjë gjënë e duhur. Përsa i përket gazit, po ta përsëris dhe njëherë, ne nuk prodhojmë gaz në Shqipëri dhe nuk   importohet dot. Sepse që të importohet duhet të eksportohet dhe që të eksportohet duhet të kalojë në të gjithë filtrat që kalojnë këto lloj lëndësh në të gjithë xhiron.

Pra, nuk importohet dot asnjë lloj gazi që mund të përdoret nga policia dhe që mund të jetë me pasoja kritike për shëndetin tuaj. Këtë e them me logjikë.

Për sa i përket 21 janarit, unë kam qene këtu me Pandeli Majkon dhe disa të tjerë, duke ardhur dhe sa kishim kaluar urën, kur pa u vendosur akoma protestuesit, – pra kishin ardhur të  parët dhe do të vinin  të tjerët, – u hodh gaz dhe u sulmua me ujë dhe aty filloi çorodia, nga një menaxhim skandaloz i forcave të policisë të abuzuara keq. Ama, e kam parë, siç e kanë parë të gjithë  protestën dhe nuk më rezulton që të jetë ndezur ndonjë zjarr tek dera e kryeministrisë në 21 janar. Nëse është hedhur ndonjë kapsollë, nuk di ta them me siguri, por ishte koha kur kapsollat nuk ishin as të ndaluara. Tani janë të ndaluara me ligj. Por mbaj mend që një makinë është djegur në anën tjetër, por nuk më rezulton mua dhe nëse ka ndodhur kërkoj ndjesë për moskorrektësinë e përshkrimit të historisë, por kam frikë se nuk ka ndodhur, se po të ishte ndezur një zjarr këtu, selia e PS do të ishte djegur atje, nga ai që ishte këtu para meje. Kështu funksiononte atëherë.

Përsa i përket arsenalit, unë nuk e di sesi, por besoj se kemi një mundësi të përbashkët që të konsumojmë shumë imazhe me polici, me protestues dhe nga vendet shumë demokratike. Shkopinjtë e policisë nuk janë prodhuar që policia t’i tundë, janë prodhuar që të përdoren, kur vjen një moment që përdoren. E unë p.sh. kam parë Francën, jo Francën e Luigjit të 14, por Francën që kemi tek dera që kemi në TV çdo ditë dhe më duket që policia franceze, po të shikonte këto imazhet këtu  do të thoshte "a ka polici aty apo nuk ka", nga pikëpamja e arsenalit dhe policisë. Vetëm një gjë unë do t’u sugjeroja të gjithëve dhe modestish, respekt. Respekt pa diskutim.

E mbyll me atë që thashë një moment. Turp të gjithë atyre që bashkuan zërin e tyre me zërin histerik të organizatorëve, që për pak sa nuk e thanë atë që në fakt ju dukej në sy, vuajtja që si ka mundësi që nuk u bë martir  zoti Dollapi.

Kështu që, ju lutem, të rrimë shtrembër dhe  të flasim drejtë. Ministri i brendshëm më parë, unë tani e pranoj si një moment jo pozitiv, dy goditje me shkop pa asnjë dëm, kurse ata që duan të marrin pushtetin me dhunë, kur ishin këtu, në ditën pas zjarrit, jo që nuk pranuan që tejkaluan kufijtë, po mesa më kujtohet i dekoruan vrasësit e 21 janarit.

Loading...
Loading...