Transmetuar më 12-05-2019, 12:33

“Vetëm pak orë më parë e gjithë qendra e Tiranës, rrugët dhe sheshet, shtëpitë e tiranasve u mbushën nga dozat luftarake të gazit helmues dhe gazit lotsjellës, që ishte akti kriminal, me të cilin kjo juntë kriminale u përgjigjet aspiratës së shqiptarëve për liri e demokraci.E kanë të kotë. Populli, opozita, shqiptarët nuk ndalen”.

Kështu tha kryedemokrati Lulzim Basha mesditën e sotme, nga protesta para Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku u kërkua lirimi i protestuesve të arrestuar.

Ai tha se javë pas jave e muaj pas muaji që nga dita kur Edi Rama e mori pushtetin me bandën e krimit, është asgjësuar çdo institucion dhe se Parlamenti ishte i pari që ra.

“Në ato karrige ulen sot figurina që janë zgjedhur me gishtat, duart, mendjet e krimit dhe jo me votën e lirë të shqiptarëve. Ata nuk përfaqësojnë as demokratët, as socialistët, por faqen e zezë, llumin që e ka marrë peng këtë vend. E gjithë Shqipëria e bashkuar kundër një grushti horrash që përmes një grushti shteti kanë instaluar juntën në vend. Junta i ka orët e numëruara, Maduro i Ballkanit i ka orët e numëruara”, u shpreh Basha.

Sipas tij, skenari i dhunës që vuri dje në lëvizje me kriminelë të veshur me uniformë, me kriminelë të tjerë të infiltruar në turmën e protestuesve paqësorë, i shërbeu Edi Ramës vetëm për të treguar para botës se i vetmi i interesuar për dhunë është kreu i juntës.

Ai tha se junta do të mposhtet, çmontohet dhe do të çohet para drejtësisë.

Basha tha se asnjë protestues i ndaluar nuk do të qëndrojnë në kthetrat e drejtësisë së kapur.

Kreu i opozitës i ftoi qytetarët që ti bashkohen protestës së nesërme në 18.30, duke thënë se në këto orë do të vendoset fati i Shqipërisë, “Le të bashkojmë zemrat dhe mendjet, le të çlirojmë Shqipërinë nga qeveria e krimit, Partinë Socialiste nga junta kriminale. Të djathtë e të majtë, le të derdhemi nesër në shesh”. /a.y/noa.al