Transmetuar më 12-05-2019, 02:58

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras i mbijetoi mocionit të mosbesimit para zgjedhjeve europiane.

Kryeministri grek siguroi 153 vota nga 289 deputetë të pranishëm.

Qeveria e Tsiprasit, mandati i së cilës përfundon në Tetor, ndjek konservatorët opozitarë në sondazhet e opinionit publik.

Paralelisht me votimin për Parlamentin Europian, më 26 Maj, zhvillohen zgjedhjet lokale në Greqi.

Më herët gjatë kësaj jave, qeveria njoftoi një seri masash për vitet 2019-2021, me synimin për të lehtësuar barrën financiare të grekëve, përfshi këtu ulje të taksave dhe një përfitim të përhershëm për pensionistët, të cilët panë t’iu pakësoheshin të ardhurat gjatë krizës më të thellë të borxhit në vendin helen, që shpërtheu një dekadë më parë.

Greqia mundi të dilte nga programi i tretë i ndihmës së ndërkombëtarëve në gusht të vitit të kaluar, ndërsa prej atëherë e deri më sot ka shënuar performanca pozitive sa u përket objektivave fiskale, duke i dhënë kështu Tsiprasit një mundësi për të kënaqur orekset e qytetarëve grekë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti.