Transmetuar më 12-05-2019, 02:20

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, ka sulmuar sonte kryetarin e shtetit, pasi ai kërkoi lirimin nga policia të Sekretarit Organizativ të PD, Sahit Dollapi.

“Presidenti i Republikës ka ngatërruar pa dashje dhunuesin Sahit Dollapi, sekretar për protestat në PD, me të dhunuarin Besfor Kryeziu, gazetar i TCH, i dhunuar nga ndjekësit e zotit Dollapi!”, – flet me ironi zonja Spiropali.

Kurse shton: “Ai ka dashur të thotë që të çohet në spital Besfori jo Sahiti dhe prandaj, meqë të gjithë e mirëkuptojmë Presidentin kur ka protesta, thashë t’i vij në ndihmë me këtë korrigjim”.

Por pak pas deklaratës së Spiropalit, Top Channel njoftoi se Besfort Kryeziu në fakt ishte dëmtuar nga policia dhe se një tjetër operator ishte lënduar më herët: "Operatori i Top Channel, Besfort Kryeziu, është goditur nga një pjesë e bombës gaz lotsjellës, duke mbetur i lënduar.

Fatmirësisht dëmtimi nuk ka qenë serioz.

Ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Më herët protestues të maskuar sulmuan një tjetër operator të Top Channel.

Një grup të rinjsh me maska në fytyrë, ndërsa ishin duke marshuar drejt Kryeministrisë, sulmuan mes turmës një prej kameramanëve të Top Channel.

Protestuesit me maska të zeza dhe një prej tyre me kundragaz të vënë në fytyrë vrapojnë drejt kameramanit Eno Xhaja. Ata e kanë goditur kameramanin ndërsa edhe mjeti i tij i punës është thyer nga sulmuesit, të cilët i kërkuan atij që të mos filmonte.