Transmetuar më 12-05-2019, 01:47

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe shumë emra të tjerë të opozitës, kanë mbërritur momentalisht në Spitalin e Traumës (ish Ushtarak), raporton që andej, gazetari i noa.al.

Para mbërritjes në këtë spital, kryetari i PD, Basha deklaroi pas mbledhjes së zgjeruar me strukturat policore se beteja nuk do të ndalet. Ai njoftoi thirrjen e një proteste tjetër kombëtare ditën e hënë në orën 18.30 ndërsa nesër ora 11.00 do të jetë një tjetër protestë përpara Drejtorisë së Policisë.

Vendimi u mor në mbledhjen urgjente që kryetari demokrat Lulzim Basha zhvilloi pas mesnatës me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike dhe aleatët e opozitës.

Basha tha se vendosën për të thirrur protestë kombëtare në 18:30 të hënën, "në përgjigje të dhunës shtazarake të Edi Ramës", dhe shtoi: "I bëj thirrje qytetarëve të bashkohen nesër para drejtorisë së policisë së Tiranës, ora 11:00 për të protestuar për lirimin e të arrestuarve. E sotmja e ndau Shqipërinë me thikë. Askush të mos mungojë të hënën në orën 18:30 që t’i japim grusht vendimtar klikës kriminale dhe nesër në 11:00 qytetarët e Tiranës të bashkohen para drejtorisë së Policisë”, tha Basha.

Pasi komunikoi vendimin Basha dhe eksponentët e tjerë politikë të PD-së dhe partive të tjera opozitare u nisën drejt Spitalit Ushtarak ku po trajtohet Sekretari Organizativ i PD-së, Sait Dollapi.