Transmetuar më 11-05-2019, 03:27

Grupi i famshëm muzikor, Guns N’ Roses ngriti padi në gjykatë ndaj një prodhuesi birre në Kolorado (në perëndim të SHBA-ve) për emërtimin e një birre me emrin “Guns ‘N’ Rosé”.

Rokerët, përmes avokatëve të tyre e denoncuan rastin si një "dëm të pariparueshëm” të shkaktuar nga shkelja e dyshuar e një marke të regjistruar.

Birra artizanale në fjalë, emri i së cilës përmban një "e” me theks që i referohet verës me ngjyrë rozë është prodhuar nga Oskar Blues Brewery, që është pjesë e grupit ‘’Canarchy Craft Brewing Collective’’.

Në padinë e depozituar të enjten në një gjykatë federale të Los Angeles, grupi i muzikës hard rock akuzoi prodhuesin e birrës për tregtimin e produkteve se po ‘’luante në mënyrë të qëllimshme me reputacionin tregtar, prestigjin dhe famën e Guns N’ Roses, pa miratimin, autorizimin ose pëlqimin e GNR".

Grupi kërkon në këtë mënyrë të zhdëmtohet, përfshirë interesat dhe pagesën e shpenzimeve ligjore. Shuma e përgjithshme nuk bëhet publike.