Transmetuar më 10-05-2019, 14:07

I jepet lamtumira e fundit nëntetares Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një mine në Letoni, teksa ishte me mision.

Dëshmores së Atdheut iu dha lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve, pak minuta para orës 14.00.

Familjarë, miq dhe personalitete të larta shtetërore dhe të ushtrisë mbajtën një minutë heshtje për nderimin e saj.

Pikërisht për të nderuar nëntetare Hasanaj, dita e sotme është shpallur ditë zie.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.

Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 09.10 të 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. /a.y/noa.al