Shantazhet me foto e video, ekspertët e IT: Kujdes para se të shisni celularët. Ja çfarë duhet të dini
Transmetuar më 09-05-2019, 23:32

Shantazhet me foto dhe video po shqetësojnë edhe qytetin e Peshkopisë. Në to identifikohen qartazi fytyrat e personave. Megjithatë, për shkak të mentalitetit nuk janë bërë padi, por thirrjet për të ndalur këtë fenomen kanë qenë të shumta.

Top Channel ka mësuar se përhapja e të dhënave personale është bërë nga punonjësit e serviseve ku janë shitur telefonët. Pavarësisht se ju mendoni se keni fshirë të gjitha materialet në telefonin tuaj, apo të partnerit, ato mund të rikthehen në disa mënyra.

“Mund të përmendim aplikacionet në ‘Cloud’ që ruajnë automatikisht çdo shkrepje të telefonit. Ekzistojnë gjithashtu mënyra të tjera, siç janë rikuperimi i të dhënave nga karta SD, apo rikuperimi i të dhënave nga vet memoria e brendshme e telefonit. Këto realizohen kryesisht nëpërmjet disa programeve speciale, që mund t’i gjesh fare lehtë me pak njohuri teknologjike”, tha Kushtrim Shala, specialist IT-je.

Përpara se të shisni telefonin duhet të përdorni disa aplikacione për fshirjen e informacioneve personale, pasi formatimi i telefonit i fshin vetëm në mënyrë të përkohshme ato, derisa telefoni të mbushet me informacione të tjera. Ndaj, për të mos rënë prè e ndonjë shantazhi duhet të keni parasysh këto këshilla.

“Është mirë që telefoni të mos shitet bashkë me kartën SD. Ajo duhet konsideruar personale dhe të shkatërrohet fizikisht. Ndërsa për sigurinë e të dhënave personale, e ato në memorien e brendshme, duhet të kujdesemi që përpos formatimit të telefonit, të fshijmë me aplikacione të dedikuara, që në gjuhën teknike quhet Shring”, tha më tej Kushtrim Shala.

Por, vendimet e vajzave nga presioni psikologjik në një rreth të vogël, ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin dhe ku shenjohesh papritur për jetën private, kanë qenë jo pak herë tragjike. Rasti i fundit, ai i 16-vjeçares në Berat, që u vetëhelmua si pasojë e kërcënimeve me mesazhe telefonike.

“Familjet shqiptare të ndërgjegjësohen që fëmijët e tyre mund të bëjnë gabime. E rëndësishme është të këshillohen. Mos t’i lënë të pavëzhguar në orare nga më të ndryshmet, sidomos në oraret e vona, ku komunikimi në rrjetet sociale është një element agravues në situata të tilla”, tha Brunilda Laboviti, psikologe.

Loading...
Loading...