Transmetuar më 09-05-2019, 16:48

Banka Qendrore Australiane ka bërë një gabim tipografik në rreth 46 milionë kartëmonedha me prerje prej 50 dollarësh.

Për të kuptuar gabimin duhet vëzhgim mikroskopik, por radioja lokale ‘Triple M’, zbuloi dhe publikoi në Instagram, fotografinë e kartmonedhës.

Në tekst fjala “responsibility” (përgjegjësi), duket plotë tre herë e shkruar “responsibilty”, thënë ndryshe pa shkronjën “i”.

Teksti në fjalë gjendet në sfondin e portretit të Edith Cowan, gruaja e parë e zgjedhur në Parlamentin australian dhe në të shihet një pjesë prej fjalimit të saj të parë.

Banka Qendrore shpjegoi se gabimi do të korrigjohet brenda vitit, kur do të stampohen edhe kartëmonedhat e reja prej 50 dollarësh, por pa saktësuar një datë të saktë.

Të realizuar me produkte të teknologjisë së lartë, kartëmonedhat australiane, janë ndër më të sigurtat në botë, kundër falsifikimit, në sajë të nivelit të jashtëzakonshëm të detajeve. /a.y/noa.al