Transmetuar më 09-05-2019, 13:31

Ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” trupi i pajetë i nëntetares Zarife Hasanaj.

Arkivoli i saj i mbuluar me flamurin kuq e zi, u prit sipas protokollit ushtarak, nën praninë e familjarëve mes lotësh dhe zisë, drejtuesve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

“Dëshmorja e Atdheut” u përcoll nga Letonia me nderime ushtarake paraditen e sotme, për të mbarritur në vendlindje rreth orës 13.20.

Ndërkohë që ditën e nesërme, nga ora 10-11.30 në hollin e Pallatit të Kongreseve do të zhvillohen homazhet për nder të ushtarakes së Forcave të Armatosura dhe nga ora 11.45-12.30 do të mbahet ceremonia shtetërore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shtetit.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.

Grupi shqiptar i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 09.10 të 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. /a.y/noa.al