Transmetuar më 09-05-2019, 12:14

Nëntetare Zarife Hasanaj e cila humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Vlerësimi për të u dha teksa mesditën e sotme pritet që trupi të mbërrijë në Shqipëri, i transportuar me një avion luftarak, i nisur me nderimet e rastit nga Letonia.

Ndërkohë që nesër, ora 10-11.30 në hollin e Pallatit të Kongreseve do të zhvillohen homazhet për nder të ushtarakes së Forcave të Armatosura dhe në 11.45-12.30 ceremonia shtetërore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shtetit.

Sakaq ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka pas kthimit të saj nga Letoni, vizitoi familjen e saj në Babrru, ku dhe ju ofroi mbështetjen për çdo nevojë.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forëard Presence”.

Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 9.10 të 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. /a.y/noa.al