Transmetuar më 07-05-2019, 20:44

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor dolën sot me një njoftim të përbashkët për shtyp ku informuan se për afro tre muaj, duke nisur nga nesër dhe deri në pikun e sezonit turistik (17 korrik), superstrada Tiranë-Durrës do të bllokohet çdo ditë që nga ora 08.00 e mëngjesit, sepse, siç deklaron, do të riparohen… ca ndriçues.

Lind pyetja: Përse superstrada Tiranë-Durrës duhet të bllokohet afro tre muaj rresht, pikërisht tani, për të riparuar ndriçuesit?

Përse këto punime ndriçimi nuk u bënë gjatë vjeshtës, dimrit apo pranverës?

Përse tani, që sapo ka nisur sezoni turistik? Për më tepër që nuk bëhet fjalë për shtrim, asfaltim apo riparim të rrugës, por riparim ndriçimi.

E nëse vëzhgojmë më shumë, konstatohet lehtësisht se ndriçimi në këtë aks rrugor, nga dogana e deri në Rinas, është funksional (shihni fotot).

Ndriçimi mungon, por jo në këtë segment rrugor. Ai mungon tërësisht që nga Vora e deri në Durrës.

Atëherë përse nuk pajiset kjo pjesë e rrugës me sistem ndriçimi, por bëhet ndërhyrje kaq e gjatë aty ku është funksional?

Mos vallë plani është që policia të vihet përballë protestave dhe tubimeve opozitare që rinisin nga 11 maji?

Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë, por një gjë është e sigurt, plani i ARRSH dhe Policisë Rrugore shkakton një varg pikëpyetjesh!

Njoftimi i ARRSH dhe Policisë Rrugore

“Duke nisur nga dita e mërkurë datë 8 Maj 2019 ora 08:00 në mëngjes deri në datë 17 korrik 2019, do të realizohet rehabilitimi i sistemit të ndriçimit në autostradën Tiranë-Durrës, nga Km 0+000 deri në Km 14+750, segmenti rrugor: ish Dogana-Qafë Kashar-Vorë”.

Qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punimet do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë “respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore në terren”.