Transmetuar më 07-05-2019, 16:39

Dalin detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të kësaj të hëne në Letoni, ku humbi jetën nëntetarja shqiptare Zarife Hasanaj, si pasojë e shpërthimit të një mine.

Krahas ushtarakes së ndjerë mbetën të plagosur edhe dy kolegë të saj, njëri prej të cilëve po lufton me jetën.

Bëhet me dije se ditën e sotme rreshteri i Forcave të Armatosura, Julian Kapaj ka dalë nga spitali.

Ndërkohë gjendja e majorit Klodian Tanushi paraqitet tejet kritike.

Mësohet se mjekët po punojnë për ta mbajtur në jetë, për shkak të gjendjes së tij të rëndë, si pasojë e dëmtimeve të marra.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.

Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 9.10 të ditës së djeshme 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. /a.y/noa.al