Transmetuar më 07-05-2019, 07:16

"Do t’i largoj punonjësit që këtu me çdo mënyrë, nga dera ose dritarja”,- citohet t’u ketë thënë Lombard menaxherëve të lartë të kompanisë

PARIS – Ish-drejtori i gjigandit të telekomunikacionit France Telecom, që tani quhet Orange, dhe gjashtë ish drejtues të tjerë të kësaj kompanie, po përballen me gjykatën në Paris, pasi akuzohen për marrjen e masave të ashpra ristrukturuese, të cilat dyshohet se kanë lidhje me një sërë vetëvrasjesh mes punonjëve të kompanisë që ata drejtonin.

Didier Lombard dhe të pandehurit e tjerë, e mohojnë faktin se masat ristrukturuese të marra nga ata ishin shkaku për humbjet e jetëve.

35 pjesëtarë të stafit të kompanisë vranë veten mes viteve 2008-2009. Disa prej tyre lanë mesazhe ku fajësonin France Telekom dhe drejtuesit e saj.

Kompania, e cila u privatizua në vitin 2004, iu nënshtrua një riorganizimi madhor në atë kohë.

Zoti Lombard duhej të shkurtonte 22 mijë vende pune dhe të ritrajnonte të paktën 10 mijë punonjës.

Disa punonjës u transferuan larg famijeve të tyre, ose u caktuan në vende pune poshtëruese.

“Do t’i largoj punonjësit që këtu me çdo mënyrë, nga dera ose dritarja”,- citohet t’u ketë thënë Lombard menaxherëve të lartë të kompanisë, në vitin 2007.

Lombard ka pranuar faktin se ristrukturimi mërziti punonjësit në atë kohë, por hodhi poshtë idenë se një gjë e tillë i çoi ata në vetëvrasje.

Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit mund të përballen me nga një vit dhe me gjobë në vlerën e 15 mijë eurove secili.

Edhe kompania Orange, mund të përballet me sanksione deri në vlerën e 75 milionë eurove.