Prishtina vendos krijimin e gjykatës për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë
Transmetuar më 07-05-2019, 00:15

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur sot edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Në Kuvendin e Kosovës, ai u është drejtuar të hënën përfaqësuesve të shoqatave të familjarëve të personave pagjetur, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, duke thënë se serbët që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve të Kosovës ende nuk janë gjykuar për ato krime, të cilat siç ka thënë ai, kanë lënë mijëra viktima në Kosovë.

Veseli ka theksuar se iniciativa për një gjykatë ndërkombëtare, e cila do t’i gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë, do të ngrihet.

“Gjykata ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë, do të ngrihet, jo mbi urrejtje dhe pretendime, por mbi ngjarje, krime dhe masakra, njerëz dhe dëshmi reale. Kjo gjykatë është e domosdoshme. Me angazhimin tonë gjithëpërfshirës, ne do t’ia dalim që ta bëjmë të pashmangshme këtë gjykatë. Mesazhi ynë është i qartë, Kosova po kërkon drejtësi për njerëzit e saj të vrarë, të masakruar dhe të dhunuar. Nuk pranon heshtje dhe nuk pranon as mohim. Kjo drejtësi do të ndodhë, Serbia do të përgjigjet për këto viktima”, tha Veseli.

Veseli ka theksuar se çështja e themelimit të këtij tribunali është e ndarë nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë.

Sipas tij, për krime të luftës në Kosovë, shqiptarët janë dënuar me gjithsej 189 vjet, ndërkaq serbët janë dënuar me 29 vjet. Ai ka shtruar pyetjen “Kush ka qenë këtu agresor?”.

Veseli më herët ka thënë se vendi këtë vit shënon 20 vjetorin e “186 masakrave, vrasjes së 11. 840 personave të rritur dhe 1.396 fëmijëve, të cilat kanë ndodhur në Kosovë”.

Në kuadër të iniciativës së tij për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, Veseli ka bërë të ditur edhe disa nga hapat e mëtejme. Ai paralajmëroi formimin e një Komisioni Shtetëror, i cili do të përbëhet nga përfaqësuesit e pushtetit, opozitës dhe komuniteteve, nga shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të pagjeturve, të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve, nga organizatat e shoqërisë civile, nga institucionet e drejtësisë, dhe nga institucionet akademike. Veseli përmendi se ky Komision do të punojë në mbledhjen e dëshmive dhe përgatitjen e një plani të punës. Ai gjithashtu ka përmendur edhe opsionin e angazhimit të një kompanie ndërkombëtare, e cila do të ishte e specializuar në këtë fushë, për të asistuar në të gjitha format.

Nismën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës e kanë mbështetur shoqëria civile, familjarët e personave të pagjetur, veteranët e luftës dhe të tjerë.

Loading...
Loading...