Transmetuar më 06-05-2019, 16:40

Presidenti i Republikës, Ilir Meta njoftoi sot se ka vendosur të refuzojë kërkesën e qeverisë për të shkarkuar nga detyra rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni.

Dekreti i sotëm presidencial erdhi pak ditë pasi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, e pezulloi Konin nga detyra, pas kritikave që kryeministri Edi Rama kishte bërë ndaj tij gjatë protestave studentore.

Besa Shahini iu drejtua Presidentit më pas, duke kërkuar prej tij dekretimin e shkarkimit përfundimtar të Konit nga detyra.

Kjo kërkesë u hodh poshtë dhe sot z.Meta shpalli dekretin për rrëzimin e propozimit të datës 12 prill 2019 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Me të njëjtin dekret, z.Meta urdhëron vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni, sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr.9609, datë 26 maj 2016.

Dekreti për Konin vjen pak orë pasi parlamenti rrëzoi dekretin tjetër të Metës që kthente mbrapsht për rishqyrtim ligjin për vetingun në polici. /noa.al/