Transmetuar më 06-05-2019, 13:54

Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, mori pjesë sot në mbledhjen e fundit për të, në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, pasi njoftoi se nuk do të jetë më deputet pas 6 vitesh.

“Sot pas mbledhjes së fundit të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, u jam mirënjohës të gjithë kolegëve që kam punuar në atë komision që nga viti 2013, të pozitës dhe opozitës, për gjithë mbështetjen, mirëkuptimin, eksperiencën e ndërsjelltë, dhe tejkalimin e ndonjë tensioni politik”, shprehet ish kryepolici Ndreu që tani kërkon të bëhet kryetar i bashkisë së Lezhës.

Ndreu sqaroi  se largohet nga Parlamenti, që t’i përkushtohet sfidës së re që Partia Socialiste i ka besuar, garës për bashkinë e Lezhës.

“Pas 6 viteve jetë aktive në atë komision, ndjehem më i pjekur dhe më i përgatitur për të përballuar sfidën e vështirë që më pret në Bashkinë e Lezhës. Faleminderit kolegë që më dhatë energji e forcë për të ecur para dhe për të konkuruar për të fituar", – thotë z.Ndreu.

Ende nuk është e qartë nëse zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 30 qershor pasi opozita nuk pranoi të futet. Nëse zgjedhjet zhvillohen në këtë situatë, kjo do të ishte e paprecedentë për vendin që ka vetëm më pak se tri dekada që iu rikthye pluralizmit pas një gjysmë shekulli diktature të egër komuniste. /b.l/noa.al/