Transmetuar më 06-05-2019, 11:58

Vajza që shikoni në fotografi është ushtarakja Zarife Hasana, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit në Letoni, gjatë shpërthimit të një mine.

29-vjeçarja humbi jetën menjëherë, ndërsa dy kolegë të saj mbetën të plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forëard Presence”.

Një grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj.

Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Sipas informaciomeve të deritanishme Major Tanushi dhe Rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.

“Për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision. Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bardhyl Kollçaku.

Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ai siguroi të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndiqet me vëmendje maksimale ngjarja që ka ndodhur.

“Në këtë moment të vështirë jemi pranë çdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit”, tha në mbyllje Kollçaku. /a.y/noa.al

Kush është efektivja e FA që humbi jetën në mision në Letoni, plagoset majori dhe rreshteri

Shpërthen mina, humb jetën efektivja e Forcave të Armatosura me mision në Letoni