Transmetuar më 06-05-2019, 11:11

Shpërthimi i një mine i ka marrë jetën një efektiveje të Forcave të Armatosura shqiptare, me mision në Letoni.

Krahas saj kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Mësohet se efektivja e identifikuar si Zarife Hasanaj, ishte pjesë e misionit të NATO-s, në repartin e demontimit të minave.

Bëhet me dije se efektivja e ndjerë është rreth 27 vjeçe, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë ende informacion për ngjarjen, teksa pritet të ketë një konferencë.

Po ashtu bëhet me dije se personat e plagosur janë gjithashtu efektivë të Forcave të Armatosura, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj. /a.y/noa.al

Deklarata e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forëard Presence”.

Një grup i kontigjentit të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake,  në bazën e NATO-s ku  ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Sipas informacioneve të deritanishme Major Tanushi dhe Rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.

Për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision.

Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj.

Njëherësh, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment të vështirë jemi pranë çdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit.