Sherri politik shqiptar shtrihet në Kosovë, polemika Rama-Haradinaj
Transmetuar më 03-05-2019, 01:24

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ritheksoi të enjten se është përballur me trysni gjatë punimeve të takimit të Berlinit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe.

Komentet e tij pasuan shkrimin e një dite më parë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili hodhi poshtë pohimet e kryeministrit për trysni ndaj tij. Kryeministri Rama nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social facebook, tha se "si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lere pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për te dalë "burra te mire" para popullit te tyre, si te ishin duke shitur mish ne pazar".

Në shkrim, kryeministri Edi Rama tha se askush nuk i ka bërë trysni kryeministrit Haradinaj për të hequr tarifat. "Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç qe ta heqë taksen! Unë jo e jo. Përkundrazi".

Ai shkruan se "kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, kane nxitur një diskutim informal ne holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyre vetëm njëherë, duke thënë se ata duhet te hynin vete ne proces. Me tutje i kane kërkuar me shume durim dhe disa here Ramushit jo ta heqë taksen, po thjesht te japë pëlqimin qe taksa te pezullohet përkohësisht, per 6 muaj apo edhe për 4 muaj qofte, duke u zotuar qe te hyjnë ne procesin e dialogut Kosove-Serbi ata vete. Edhe te dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!

Por, kryeministri Haradinaj tha sot pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës se gjithmonë do ta tregojë të vërtetën për proceset e bisedimeve me Serbinë pasi që sipas tij kjo është edhe interes kombëtar.

“Kërkesat që të pezullohen tarifat nuk janë të reja edhe pozicionet nuk janë të reja për disa prej atyre që i kanë, njëkohësisht qëndrimi im nuk është i ri pra është i qëndrueshëm, nuk ka ndonjë ndryshim dhe nuk do të ketë, pra nuk ka pse të diskutohet më. Pastaj kjo e kryeministrit (Edi) Rama, për mua shqiptarët edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e motrat e mija dhe ua kam borxh të vërtetën, atë që ka thënë At Zef Pllumi “rrno për me tregu” do t’ua tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt për shkak se jemi në obligim ndaj qytetarëve tanë”, tha kryeministri Haradinaj.

Loading...
Loading...