Transmetuar më 02-05-2019, 19:31

Kur ishte student, Mark Zuckerberg krijoi një rrjet social që synim ekskluziv kishte komunikimin mes tyre të studentëve në universitetin ku ai ndodhej, në SHBA.

Por kaluan shumë pak vite që Facebook të bëhej rrjeti më i madh dhe më i famshëm social në botë.

Kjo ndodhi edhe pse në atë kohë ishin bollshëm të suksesshme, rrjete sociale si Hi5, etj., të cilat shpejt falimentuan.

Që nga viti 2004 kanë kaluar 15 vjet, por Zuckerbergut iu desh më pak se një dekadë, që miliardave përfitime nga Facebook, t’i shtojë dhe rrjete të tjera sociale, goxha fitimprurëse.

Ai bleu Instagramin duke e shndërruar edhe atë në një burim fitimi marramendës.

Po ashtu bleu edhe Whats App.

Tani, themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg dëshiron që ekspansionin në rrjete sociale ta kanalizojë në krijimin e risive.

Ndaj në konferencën vjetore të zhvilluesve të rrjetit social Facebook, në San Jose të Kalifornisë (SHBA), që u mbajt dje, tregoi të rejat që në muajt e ardhshëm do të kenë rrjetet sociale që ai kontrollon.

“E ardhmja është private”, – tha Mark Zuckerberg.

“E di që ne nuk kemi reputacionin më të mirë për privatësinë, por kemi filluar një kapitull të ri. Jam besimplotë sepse kemi treguar se ne dimë t’i japim përdoruesve produktet që duan”, – tha ai.

Zuckerberg pohoi se nuk do të ketë risi vetëm në privatësi.

Kështu, shumë shpejt Messenger do të bëhet më i shpejtë dhe më i thjeshtë.

Ndërsa Facebook do të ndryshojë edhe pamjen dhe do të ketë një dizajn të thjeshtuar dhe më të pastër, më të bardhë dhe më pak blu.

Bluja “pothuajse është zhdukur”,- tha Zuckerberg. Mbetet vetëm në shkronjën “F”. Përditësimi i aplikacionit dhe faqes së Facebook-ut, do të fillojë të përhapet në ditët në vijim, ndërsa versioni desktop do të jetë i disponueshëm në muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, nuk do të mungojnë dhe risitë që sigurojnë fitime të shtuara për Zuckerbergun.

Për sa i përket Instagramit, Zuckerberg paralajmëroi një qendër tregtare, por nuk dha detaje të tjera.

E në këtë kuadër, dorëzohet edhe Whatsapp sepse edhe ai do të monetizohet. Zuckerberg njoftoi një katalog komercial për këtë aplikacion komunikimi.