Transmetuar më 02-05-2019, 13:13

Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange sot do të paraqitet para gjykatës për kërkesën e SHBA-së për ekstradimin e tij për shkak të pretendimeve të hakimit të kompjuterëve të Pentagonit.

Pritet që Assange para gjykatësve për kundërvajtje në Westminster të paraqitet përmes një video-linku nga burgu.

Assange u arrestua muajin e kaluar pasi Ekuadori tërhoqi azilin politik, të cilin ia dha më herët. Avokatët thonë se australiani 47-vjeçar do të luftojë kundër ekstradimit në SHBA, ku autoritetet e atjeshme e akuzojnë se ka depërtuar në sistemin kompjuterik të Pentagonit.

Kryeredaktori i WikiLeaks-it, Kristinn Hrafnsson të mërkurën deklaroi se beteja për ekstradimin e tij është çështje “e jetës dhe vdekjes” për Assange.

Australiani aktualisht po vuan dënimin 50 javësh burg për shkelje të kaucionit me kusht nga viti 2012 dhe ikjes në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Në këtë kohë Assage përballet me ekstradim në Suedi për hetime lidhur me pretendimet e abuzimit seksual.

Britania pritet të vendosë nëse do ta ekstradojë atë në SHBA, meqë mund të dënohet me rreth 5 vjet nëse shpallet fajtor.