Transmetuar më 01-05-2019, 17:59

Një djalë i ri shqiptar ka humbur jetën mëngjesin e të premtes që lamë pas, teksa ecte në shinat e trenit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Oberglatt të Zyrihut, në Zvicër, ku mbi binarë është gjetur i vdekur 17-vjeçari nga Kosova, Rinor Bunjaku.

Viktima dyshohet se ka qenë duke kaluar mbi shina nga njëra anë në tjetrën, në momentin që e ka përplasur treni. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërkohë që policia vijon hetimet.

Familja Bunjaku bën të ditur se Rinori i ndjerë do të varroset të premten, më 3 maj në orën 13.00 në varrezën “Friedhof Chilisbaum”, Ifangstrasse 100 në Rümlang/ZH.

Babai i Rinorit ka shkruar vargje prekëse në “Facebook” për djalin që ka ndërruar jetë tashmë.

“Ti po flen e unë ende po pres që ti me u çu, po thërras por ti s’po çohesh, lem unë të vdes e ti çohu, po i flas shpirtit tënd po i flas.

Kam pa në filma tu shku nusja te varri e burrit, kam pa edhe djalin tu qajt mbi varr të dashurës, ama nuk ish e njëjtë si me shku te varri i djalit e me shkri krejt lot mbi trupin e tij… U prefsh në paqe Djali im drita ime RINOR”, shkruan i ati i 17 vjeçarit.