Loading...
Taksa për Serbinë, Haradinaj: Thaçi e Rama më bënin më shumë presion se Vuçiç në Berlin
Transmetuar më 30-04-2019, 22:31

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se si presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, i kanë bërë sipas tij presion më shumë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në sy të të gjithëve, në Berlin, për të hequr taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Ai tha sot se ata madje kanë folur në gjuhën angleze me qëllim që të kuptonin edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, si pritës të Samitit të Berlinit.

“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhur në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Shumë vështirë ishte. Edhe presidenti, edhe Edi Rama më shumë bëjshin presion ata të dy me e heq taksën, sesa shtetet e tjera. Të gjithë instonin që të respektoja qëndrimin e kancelares dhe Makronit, se medemek ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet humbur. Një insistim direkt dhe i pandalshëm. Në anglisht, që e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presidenti Makron”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për T7 nga Berlini.

Megjithatë ai shtoi se mbetet e i palëkundur duke thënë se vetëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, do të hiqet kjo taksë.

“Unë u kam thënë që ai vendim është marrë nga situata. Sepse Serbia ka marrë vendime agresive ndaj nesh, që kanë rrezikuar sigurinë nacionale. Ky vendim hiqet në rast të një marrëveshjeje për njohje. Nëse përgatitet një marrëveshje për njohje, dhe nënshkruhet, ne mund ta suspendojmë. Por nuk e bëjmë këtë për një proces dialogu që mund të devijojë”, tha z.Haradinaj.

Loading...
Loading...