Transmetuar më 26-04-2019, 14:25

Sezoni nuk është mbyllur ende zyrtarisht, te Juventusi është koha për të bërë bilancet. Si fillim duhet zgjidhur e ardhmja e Massimiliano Allegri.

Pavarësisht se palët kanë shprehur publikisht dëshirën për të vazhduar më tej bashkëpunimin, asgjë nuk është e sigurt, teksa janë disa çështje për të cilat tekniku dhe drejtuesit e klubit duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Shumë shpejt Allegri dhe presidenti Agneli do të ulen në tavolinën e bisedimeve për rinovimin e kontratës dhe për të hedhur sërish firmën, sipas mediave italiane, trajneri ka disa kushte.

Më i rëndësishmi nga të gjithë lidhet me financat, pasi përveç zgjatjes në kohë të kontratës, Allegri kërkon edhe një rritje të ndjshme në të ardhurat e tij.

Pengesë për t’u kaluar është edhe lista e lojtarëve që tekniku kërkon në merkaton e verës. Nuk ka emra, por ai pretendon një mbrojtës qëndre, një mbrojtës krahu dhe një mesfushor qëndror.