Berisha: Rama dhe Thaçi, dy argatët e Beogradit për Serbinë e Madhe
Transmetuar më 25-04-2019, 22:20

Ish-Kryeministri Sali Berisha, thotë se taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja dhe Hercegovina, është një taksë kundër argatëve të Beogradit në Prishtinë, si një reagim për të bllokuar marrëveshjen e tyre të fshehtë me padronët e tyre në Beograd për copëtimin e Kosovës.

Berisha vlerëson se, projektin e “serbomadhisë” të lidhur me territoret e Kosovës, Beogradi ua ka besuar të dy argatëve të tij në Prishtinë dhe Tiranë. Sipas tij, Baton Haxhiu apo siç e ka quajtur, “Baton Stanishiqi” është shefi i argatëve të Beogradit në Prishtinë.

Ish kryeministri Berisha, në intervistën e mëposhtme për gazetën “Bota Sot”, ka nënvizuar se drejtimi i dialogut me Serbinë nga Presidenti Thaçi përbën konflikt interesi, duke qenë se i njëjti nuk është pastruar ende nga akuzat e Dick Marty-it, mbi të cilat u krijua Gjykata Speciale.

Sipas tij, Thaçi është peng i dosjeve dhe territori i Kosovës nuk duhet të mbetet peng për shkak të tij. Ai ka folur edhe për vrasjen e ish Ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, e cila sipas tij, ishte një porosi serbe.

Si e vlerësoni qasjen e BE-së ndaj Kosovës në krahasim me qasjen ndaj Serbisë, mendoni se ka diferenca të mëdha në këtë drejtim?

Padyshim që ka diferenca të qarta, sidomos prej disa nga vendeve anëtare të BE-së, që nuk kanë njohur Kosovën. Nuk mund të thuhet se në qëndrimet e tyre ndaj Kosovës, të cilën ata për një arsye apo për një tjetër nuk do ta donin vend të pavarur, të mos ndikohen nga Serbia.

Si e keni parë ju situatën me taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, a ishte veprimi i duhur i qeverisë si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës?

Unë jam për tregtinë e lirë, por në rastin konkret unë mendoj se kjo taksë është para se gjithash një taksë anti argatëve të Beogradit në Prishtinë, është një reagim për të bllokuar marrëveshjen e tyre të fshehtë me padronët e tyre në Beograd për copitmini e Kosovës.

Nuk besoj kurrë se kryeministri i Kosovës apo udhëheqësit e forcave politike në Kosovës janë kundër marrëveshjes me Serbinë. Por ata janë kundër marrëveshjes që arritën në fshehtësi argatët e Beogradit me padronët e tyre, e cila synon copëtimin e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve sipas oreksit të Beogradit dhe projektit të Serbisë së Madhe.

Në Kosovë këtë marrëveshje, përveç argatëve të Beogradit në Prishtinë dhe Listës Serbe nuk e përkrah asnjë forcë politike dhe asnjë institucion i Republikës së Kosovës.

Padyshim që taksa ka krijuar një problem vërtet serioz. Mendoj se një rrugë për heqjen e saj mund të ishte dhe largimi nga përfaqësimi në negociata i argatit të marrëveshjes së fshehtë gjersa të përfundojë punën Gjykata e Hagës.

Kjo besoj se është e domosdoshme pasi besohet gjerësisht se Miladini shqipfolës është në konflikt të hapur interesi. Unë personalisht nuk kam asnjë të dhënë për ndonjë krim të kryer nga ai por e di mirë se krijimi i Gjykatës erdhi pas raportit plotë akuza direkte të senatorit Dick Marti.

Në të vërtet unë e kam kundërshtuar atë raport në OKB dhe në të gjitha forumet e tjera ndërkombëtare me shumë se sa vet të akuzuarit, jo se unë pajtohem me krimet e luftës apo krimet kundër njerëzimit, por e kam kundërshtuar i bindur se ai ishte produkt i senatorit serbofil dhe rusofil Dick Marti dhe prokurorit famëkeq të Beogradit Vukçeviç, i cili trillonte krime të paimagjinueshme për të cilat as vet Millosheviçi nuk kishte akuzuar shqiptarët ndonjëherë.

Mirëpo e vërteta është se papritmas në Prishtinë argati i akuzuar direkt ne atë raport kërkoi anulimin ligjor të marrëveshjes për gjykatën e Hagës dhe pasi dështoi me këtë nismë zuzare, gradualisht doli me flamurin e Serbisë së Madhe në mes të Prishtinës.

Mendoj se çdo gjë do të zhbllokohej nëse argati, që në konflikt të plotë interesi ka negociuar marrëveshjen e fshehtë sipas interesave të veta dhe padroneve të tij, do të përjashtonte vetën apo do përjashtohesh nga të tjerët nga negociatat dhe të mos dukej se po bënë gjithçka në funksion të pengmarrjes së tij.

Çdo njëri i civilizuar me minimumin e integritetit është i detyruar të marrë një vendim të tillë. Përndryshe si peng i palës tjetër ai dëshmohet shumë i rrezikshëm dhe çdo akt i tij është tërësisht i pabesueshëm.

Sa ka mundësi reale që Kosova të marr Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin pa dhënë diçka në këmbim të saj, ashtu si po pretendon presidenti i Kosovës Hashim Thaçi? Mendoj se kësaj pyetje i dha përgjigje të hapur për qytetarët e Kosovës dhe të mbarë botës gjatë vizitës së tij në veriun e Kosovës presidenti serbomadh i Serbisë Aleksander Vuçiç.

Ai, njëlloj si Millosheviçi që zgjodhi Kosovën për të shpallur publikisht projektin e vjetër të Serbisë së Madhe, në tre takimet që zhvilloi në komunat me shumicë serbe deklaroi as me shumë dhe as më pak se Serbia do të bëhet më e madhe, pra do bëhet më e madhe duke marrë territore të Kosovës.

Në fjalën e tij për të konfirmuar përkushtimin dhe besnikërinë e tij ndaj idesë së Serbisë së Madhe dhe urrejtjen raciste ndaj shqiptareve, Vuçiç deklaroi se Sllobodan Millosheviçi, kasapi i shqiptarëve ishte një udhëheqës i madh por që kishte bërë edhe gabime. Sipas tij gabimi dhe jo faji i Millosheviçit kishte qenë lufta. Ndaj dhe ai do ta bënte Serbinë më të madhe jo me luftë, por me argatët e tij në Prishtinë dhe Tiranë.

Pra, të besosh se Serbia do bëhet më e madhe duke i dhënë Kosovës komunat e Bujanovcit, Medvegjes dhe Presheves është si të besosh rrethin katror apo thjeshtë dëshirë për të mashtruar veten ose për të bërë punën e argatit të Vuçiq.

Si mund të ndalet “jetësimi” i kësaj ideje? Sali Berisha: Projektin e serbomadhisë të lidhur me territoret e Kosovës, Beogradi ua ka besuar të dy argatëve të tij në Prishtinë dhe Tiranë. Këta të dy përfaqësojnë rrezik madhor kombëtar për shqiptaret kudo që janë. Largimi i tyre sa më shpejt nga skena politike është jetike për të ardhmen e vendeve tona.

Loading...
Loading...