Loading...
Autorja e “50 Hijet e Greit”, del me një libër plot doza fyese dhe negative ndaj shqiptarëve
Transmetuar më 24-04-2019, 18:56

Vajza shqiptare, Alesia Demaçi, përshkruhet si një injorante që magjepset nga përdorimi i teknologjisë, si smartfonë e karta krediti, ndërsa shqiptarët e tjerë dalin të gjithë kriminelë e trafikantë femrash

Një debat i fortë ka shpërthyer në Angli dhe Shqipëri, pasi doli në treg libri i ri i shkrimtares E.L James, “The Mister”, “Hirushja shqiptare”.

Autorja e famshme e librit “50 Hijet e Greit” që shiti mbi 150 milionë kopje të këtij libri i cili u bë dhe film shumë i ndjekur në botë, tani ka futur në fokusin e penës së saj shqiptarët, duke lëshuar dorën me doza negative ndaj nesh.

Libri i titulluar “The Mister”, është një vazhdimësi e librit të saj të parë “Fifty Shades of Gray” që u botua gjashtë vjet më parë.

Ky libër i portretizon shqiptarët si kriminelë dhe shoqërinë shqiptare si të prapambetur duke cënuar kështu imazhin tonë.

“Hirushja” shqiptare, “The Mister”, libri që portretizon negativisht shqiptarët

Libri ka pushtuar faqet e para të gazetave më prestigjioze, jo vetëm britanike. “The Sunday Telegraph”, “The New York Times”, “Daily Mail”, etj. shkruajnë për historinë e saj të re të dashurisë tek “The Mister”, një histori mes një aristokrati të pasur sharmant britanik dhe shërbyeses shqiptare të shtëpisë së tij.

E.L. James njihet për faktin që në krijimet e saj figurat femërore janë të nënshtruara me disbalancë të theksuar ekonomike nga partnerët që ato dashurojnë.

Por, në ndryshim nga trilogjia e hijeve, këtu nuk kemi dhomë të kuqe dhe mazokizëm.

E.L. James arrin deri aty sa e portretizon pastruesen shqiptare Alesia Demaçi si një vajzë që nuk di çfarë është një telefon i zgjuar (smartphone) apo një kartë krediti. Vajza nga Kukësi, personash i librit, është viktimë e trafikut njerëzor duke krijuar edhe një herë imazhin e keq që kanë shqiptarët nëpër botë.

Ndizet debati, përfshihet dhe ambasadori shqiptar në Londër

Ky libër ka bërë që të ndizet një debat mes autores së librit “Fifty Shades of Gray” E.L James dhe ambasadorit tonë në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko.

Ambasadori shqiptar ka qenë në qendër të mediave britanike ditët e fundit. Ai u shpreh për britaniken “The Sunday Telegraph” se libri i E.L. James është plotësisht jorealist sa i përket përshkrimit të Shqipërisë dhe të shqiptares Alesia.

Qirko thekson se ndihet keq sa i përket perceptimit dhe imazhit që krijohet për shqiptarët. “Ata janë njerëzit më të mirë që ju mund të takoni”, thekson Qirko.

Duke kritikuar ashpër shkrimtaren për mënyrën se si i ka portretizuar shqiptarët, ambasadori shqiptar tha se kjo është e papranueshme, shumë larg realitetit të Shqipërisë, që është një vend mëse i sigurt për të huajt e për vendasit.

Nga ana tjetër, E.L. James është shprehur se ka udhëtuar në Shqipëri disa herë për ta njohur si vend. Ka blerë një fjalor të gjuhës shqipe si dhe disa libra që rrëfejnë zakonet dhe kodin tonë kanunor.

Kur James botoi “50 Shades of Gray” nuk e mendoi kurrë se libri i saj do të shiste më shumë se 150 milionë kopje në mbarë botën, do të përkthehej në 50 gjuhë, përfshi dhe atë arabe dhe do të adaptohej për një film me tre seri që fitoi më shumë se 1 miliard dollarë në total.

Me “The Mister”, Hollivudi pritet të ngacmohet për një film tjetër me hirushen e kohëve moderne, por kjo hirushe është një pastruese shqiptare e mahnitur nga padroni i saj sharmant britanik.

Edhe kritikët e librit “masakrojnë” autoren

Libri i ri i autores së “50-Shades of Grey”, me protagonisten nga Kukësi, është “masakruar” nga kritikët letrarë.

Ata janë shprehur të gjithë me tone negative në lidhje me librin e ri të autores së “50 Shades of Grey”.

Ky libër i dytë, sipas kritikëve, është pak a shumë e njëjta strukturë tregimi që nuk sjell asnjë gjë të re, përveçse është më jo-interesant se libri i mëparshëm.

Në librin e parë, 50 Hijet e Grejit, një vajzë e virgjër 23-vjeçare, studente, njihet me një pasanik dominant, Grejin, me të cilin përjeton një pasion të ethshëm seksual.

Në këtë libër të dytë, të titulluar “The Mister”, është sërish një vajzë e virgjër, po 23-vjeçare, e cila po ashtu njihet me një pasanik dominant, Maksim Trevelian. Vetëm se këtë herë, 23-vjeçarja e virgjër është Alesia Demaçi, një vajzë shqiptare nga Kukësi, e trafikuar nga shqiptarë të tjerë dhe e shitur si skllave seksi, e cila punon tani si shërbyese në shtëpinë e Maksimit. /noa.al/

Loading...
Loading...