Transmetuar më 23-04-2019, 21:42

Policia shqiptare njoftoi sot se në bashkëpunim me autoritetet e Drejtësisë italiane ka arrestuar 28 vjeçarin Bledar Ibrahimi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm. Ndaj Ibrahimit, nga Elbasani, kishte një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria italiane, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”.

I riu shqiptar kishte shkuar në Itali 8 vjet më parë.

Këtu ai kishte rënë në kontakt me disa mbështetës të Isis-it që vepronin në zonën e Lombardisë, të cilët rekrutonin dhe luftëtarë për të marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak.

Ai mësohet se kishte shkuar më pas për “studime islamike” dhe për të mësuar gjuhën arabe në Egjipt.

Në banesën e tij, policia italiane kishte gjetur shumë materiale që e lidhinin atë me ekstremistët dhe elementë terroristë, gjurmë të kontakteve me fondamentalistë dhe video e fotografi që i thurnin lavde Jihadit.

Për arrestimin e tij reagoi dhe ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini.

“Faleminderit magjistratëve dhe hetuesve tanë, në veçanti Grupin e operacioneve speciale (ROS) që nuk hoqën dorë kurrë. Faleminderit dhe autoriteteve të Tiranës. Nuk ka paqe për kriminelët dhe fanatikët që na sjellin luftën në shtëpi”, shkruajti ministri i Brendshëm italian.

Sipas policisë shqiptare, pritet që ndaj Ibrahimit të nisë menjëherë procedura e ekstradimit.