Transmetuar më 23-04-2019, 01:23

Opozita e bashkuar shqiptare ka paralajmëruar se më 11 Maj do të zhvillojë tubimin e saj antiqeveritar të radhës duke shpallur se ajo nuk do të jetë më protestë por revoltë.

Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve nga kreu i PD Lulzim Basha.

Ai tha se kjo protestë do të kthehet në një uragan popullor kundër regjimit. “Nuk do të jetë thjesht dhe vetëm një protestë, por një revoltë kombëtare”, paralajmëron z.Basha.

Ashtu si protesta e fundit e 13 prillit, edhe protesta 11 majit do të nisi pas dite në orën 18.30.

Kjo do të jetë protesta e njëmbëdhjetë e opozitës së bashkuar, ku përmes së cilës opozita do të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

Ndërkohë mësohet nga burime të PD-së se, gjatë mbledhjes drejtues të degëve kanë kërkuar një radikalizim të lëvizjes opozitare, ndërsa kanë propozuar bllokim të akseve rrugore kryesore në Tiranë.

Kështu është propozuar që protestuesit të bllokojnë kalimet te Rruga e Elbasanit, Pallati me Shigjeta, sheshi Shqiponja dhe Zogu i Zi, që përbëjnë edhe akset kryesore rrugore në kryeqytet.

Po kështu është hedhur idea që protestuesit të reagojnë më ashpër në rastet kur sulmohen nga policia me gaz, sikundër ka ndodhur në shumicën e protestave opozitare. Në këtë kuadër është propozuar që asaj që konsiderohet si dhunë e policisë ndaj protestuesve, të ketë kundërpërgjigje në mënyrë proporcionale.

Gjithashtu është artikuluar idea për djegien e mandateve të këshilltarëve të opozitës në Këshillat Bashkiake dhe kryetarët e bashkive që përfaqësojnë opozitën. Në total, PD dhe LSI, drejtojnë 21 bashki të vendit, dhe ndoshta djegia e mandateve të tyre mund të çojë në një tjetër kolaps situatën politike në vend.

Mësohet se vendimi për djegien e mandateve të kryebashkiakëve dhe këshilltarëve lokalë do të meret në konsultim me partitë aleate, kjo për faktin se mund të ketë probleme, që kryebashkiakë të caktuar të mos pranojnë një vendim të tillë.

Burimet bëjnë të ditur ky hap mund të ndërmerret në ditët në vazhdim, pasi do të ishte një tjetër akt final, që përfundimisht do të nxirrte opozitën nga institucionet.

Bëhët e ditur se, në takimin me dyer të mbyllura ka pasur debate veçanërisht mbi radikalizimin e lëvizje opozitare. Mësohet se kreut demokrat Basha i është kërkuar që të mos tërheqë protestuesit apo të bëjë zhvendosjen e tyre, duke kërkuar një qëndresë më të madhe.

Duket se strategjia e ndjekur deri më tani nga opozita me protesta që nisin para godinës së Kryeministrisë apo Parlamentit dhe më pas ka një tërheqje të protestuesve, të cilët zhvendosen në vende të tjera, nuk ka gjetur mbështetjen e plotë nga drejtuesit e degëve që përbëjnë edhe atë që quhet Këshilli i Kryetarëve.

Burimet shprehen se në këtë kuadër, është kërkuar që protestat përveç se të jenë më të përqëndruara, të jenë më të ashpra dhe njëherazi të ketë bllokime aksesh rrugore, që do të kishin më shumë efekt në atë që opozita e cilëson si kauzën e saj, largimin e Edi Ramës nga posti kryeministror.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë, përfshi edhe LSI-në, kanë deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, që Presidenti i Republikës i ka dekretuar më 30 qershor.

Partitë opozitare e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Afati për regjistrimin e partive në zgjedhje skadon më 23 prill, ndërsa nuk ka gjasa që në orët në vazhdim ndonjë prej partive të opozitës të thyejë vendimin e marrë bashkarisht.

Opozita shprehet e vendosur se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, sikundër nga mazhoranca ka të njëjtën vendosmëri për t’i shkuar deri në fund variantit se zgjedhjet do të zhvillohen, madje ka pasur zëra që cilido që do të tentojë të bllokojë procesin do të përballet me ligjin.

Gazeta RD raporton se një nga skenarët që është propozuar dhe mund të aplikohet nëse Edi Rama nuk do të tërhiqet është ai që do të aplikohej në Kavajë dy vjet më parë, kur do të zhvilloheshin zgjedhjet e pjesshme vendore pas largimit të Elvis Roshi nga post ii kryebashkiakut. Në atë kohë, Rama tentoi të zhvillonte zgjedhjet edhe pa praninë e opozitës, por në fund u tërhoq nga ky skenar.

Plani i opozitës në atë kohë ishte i detajuar për bllokimin e zgjedhjeve, dhe duket se në kushtet aktuale ai mund të aplikohet më 30 qershor, nëse Rama nuk do të tërhiqet.

Në atë kohë opozita paralajmëronte bllokimin e procesit, ku mbështetës të saj nuk do të lejonin shpërndarjen e bazës material drejt Komisioneve të Qendrave të Votimit, do të rrethonin Komisionet Zonale apo edhe qendrat e votimit. Kjo në atë kohë cilësohej si një lëvizje radikale, që mund të çonte në përplasje, por duket se sot mund të jetë një skenar që mund të aplikohet.

Sot deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet e deputetëve, ka një diskutim për djegien e mandateve të këshilltarëve lokalë dhe kryebashkiakëve, ka propozime për radikalizime të protestave, duke përfshirë bllokimin e akseve kryesore rrugore, çka do të thotë se të gjitha këto mund të kulmojnë në 30 qershor, ose një ditë përpara datës së zhvillimit të zgjedhjeve lokale.

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi pak ditë më parë se vendi po shkon drejt përplasjes civile, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për të gjithë situatën e krijuar.

Vendimi për djegien e mandateve është konsideruar si hapi i fundit politik që mund të ndërmerrej nga një parti, çka do të thotë se tashmë mund të shkohet drejt formave të mosbindjes civile, që shpeshherë janë artikuluar se do të ndodhin, por në realitet nuk janë aplikuar.