Transmetuar më 22-04-2019, 19:14

Kryeministri Edi Rama, me një vendim që nuk ishte publikuar ditën e mbledhjes, më 4 prill 2019, ka miratuar dhënien e një fondi prej 4 milionë eurosh për kazanin televiziv shqiptar, siç e quan ai.

VKM ka hyrë në fuqi dhe u publikua në Fletoren Zyrtare, por Kryeministria më 4 prill 2019 nuk e publikoi siç e shikoni te ky link.

Z.Rama, përmes VKM-së që NOA.al jua sjell të plotë më poshtë, ka vendosur të akordojë shumën e parave në televizionet kombëtare të vendit si dhe mediat e tjera televizive.

VKM është argumentuar me atë që Rama e quan në këtë vendim, kompensim financiar të operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike dhe operatorëve privatë historikë kombëtarë.

Në vendim thuhet: “Operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike të kompensohen në masën dy milionë euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve që dalin jashtë funksionit si rezultat i ndryshimeve teknologjike, sipas ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Operatorët privatë historikë kombëtarë të kompensohen në masën dy milionë euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve të kryera për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit, nga analoge në numerike”.

Mediat e shkruara raportuan sot se nga ky fond pritet të përfitojnë dhe operatorët pay TV të cilët transmetojnë programet e kanaleve të tyre përmes abonimeve periodike. /noa.al/

VENDIM

Nr. 240, datë 4.4.2019

PËR MIRATIMIN E KRITEREVE PËR NDARJEN E KOMPENSIMIT FINANCIAR TË OPERATORËVE ME EKSPERIENCË NË TRANSMETIMET NUMERIKE DHE OPERATORËVE PRIVATË HISTORIKË KOMBËTARË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr. 34/2017, “Për lirimin e frekuencave të digjital-dividentit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave,

VENDOSI:

Ndarjen e kompensimit financiar për kategoritë operatorë privatë historikë kombëtarë dhe operatorë me eksperiencë në transmetimet numerike, si më poshtë vijon:

Operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve që dalin jashtë funksionit si rezultat i ndryshimeve teknologjike, sipas ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Operatorët privatë historikë kombëtarë të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve të kryera për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit, nga analoge në numerike.

Vlera e kompensimit për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike do të llogaritet me përqindjen që vlera financiare për përgjegjësitë tatimore, e paguar prej secilit operator, zë në totalin e vlerës financiare për përgjegjësitë tatimore të paguara nga të gjithë operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike.

Vlera e kompensimit për operatorët historikë kombëtarë do të ndahet në mënyrë të barabartë.

Operatori me eksperiencë në transmetimet numerike, për të përfituar kompensimin financiar sipas pikës 1, të këtij vendimi, duhet të depozitojë pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, si më poshtë vijon:

a) Ekstraktin historik për të dhënat e subjektit, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

b) Relacionin e vlerësimit të firmosur dhe të vulosur nga një ekspert kontabël i autorizuar sipas legjislacionit në fuqi, mbi përgjegjësinë tatimore të paguar pas datës 4 prill 2013 e deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Relacioni duhet të përfshijë informacion për masën e paguar nga subjekti për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi pagat dhe kontributet për të punësuarit, taksat kombëtare, tarifat sipas llojit të ushtrimit të aktivitetit, tatimin e mbajtur në burim ku deklarohen (dividenti, tatimi mbi qiradhënie, shërbimet teknike etj.), taksat lokale e akcizën, dhe duhet të depozitohet në AMA, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i këtij të fundit.

Në të kundërt, vlerësimi i masës së përgjegjësive tatimore të paguara prej subjekteve përfituese do të përcaktohet nga AMA, bazuar në të dhënat e pasqyrave financiare vjetore të depozituara pranë AMA-s.

c) Vërtetim lëshuar prej organeve tatimore, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

ç) Vërtetim lëshuar prej organeve përkatëse, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve sipas ligjit për taksat kombëtare, për të cilat operatori është subjekt.

Operatori privat historik kombëtar, për të përfituar kompensimin financiar, duhet të depozitojë pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, si më poshtë vijon:

a) Ekstraktin historik për të dhënat e subjektit, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

b) Dokumentacionin financiar për investimet e kryera për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit, nga analoge në numerike (përshtatjen e pajisjeve ekzistuese, instalimin e pajisjeve të reja të sistemit të transmetimit) etj., si fatura tatimore blerjeje, fatura zhdoganimi, kontrata shërbimi.

c) Vërtetimin e lëshuar nga organet tatimore, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

ç) Vërtetimin e lëshuar nga organet përkatëse, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve sipas ligjit për taksat kombëtare, për të cilat operatori është subjekt.

Autoriteti i Mediave Audiovizive shqyrton dokumentacionin e subjekteve dhe kryen veprimet, si më poshtë vijon:

a) Verifikon nëse subjektet kanë detyrime financiare të pashlyera ndaj saj.

b) Verifikon nëse subjektet kanë detyrime financiare për sanksione gjobë të shndërruara në titull ekzekutiv.

c) Verifikon nëse subjektet përdorin frekuenca pa autorizimin/licencimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Autoriteti i Mediave Audiovizive kryen pagesën për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike dhe operatorët historikë kombëtarë pas plotësimit të kërkesave sipas këtij vendimi.

Ngarkohet Autoriteti i Mediave Audiovizive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Edi Rama