Transmetuar më 22-04-2019, 16:04

Tre të rinj nga Elbasani dhe një tjetër nga Kruja, që të gjithë me lidhje të forta me të arrestuar të mëparshëm te grupit Murataj e Kupa dhe grupin e Klement Çalës janë të dyshuarit kryesor, si bashkëpunëtorë të grabitësve të dhunshëm që hynë në aeroportin e Rinasit dhe rrëmbyen prej andej mbi pesë milionë euro.

Klement Çala, një person me precedentë të rrezikshëm dhe me të kaluar kriminale në Greqi dhe në Shqipëri po në fushën e grabitjeve të armatosura vazhdon të jetë në kërkim që prej 2013-s.

Së fundmi dosjes së tij i është shtuar edhe përfshirja në grabitjen e 9 prillit në Tiranë. Edhe i vëllai i tij, Eldi Çela është në kërkim, së bashku me një të tretë, por të forta ngelen dyshimet edhe për një shtetase që shikohet si ndihmëse e grupit.

Të prangosurve, më i riu i moshës 25 vjeç dhe më i madhi 38 vjeç do t’ju rëndojë edhe akuza për veprën penale të vrasjes së efektivëve të policisë së mbetur në tentativë

I pari që do dalë të martën para Gjykatës është Alkond Bengasi që është kushëri i Klement Çalës. Ai akuzohet për grabitje, grup të strukturuar dhe armëmbajtje dhe prodhim municionesh.

Tre të arrestuarit e tjerë do të njihen me masën e sigurisë ditën e mërkurë, ndërkohë që përpara se t’u priteshin fletët e arrestit, ata janë mbajtur te shoqëruar për dy ditë rresht në polici. Prokuroria dyshon se i kërkuari Eldi Çela, vëllai i Klement Çalës kishte marre me qera një servis ne qytetin e Elbasanit, për të cilin Top Channel raportoi të dielën se aty ishte modifikuar furgoni që hyri ne aeroport.

I dyshuari tjetër Oltion Veseli është kushëriri i Ernest Kupës, i dënuar nga gjykata për grabitjen e armatosur të blindave përgjatë aksit Tiranë-Rinas, edhe dy të rinjtë e tjerë njihen si krahu i Klement Çalës, njeriut që po sfidon autoritetet e gjithashtu njeriut të shumë kërkuar edhe nga Greqia, pas arratisjes se bashku me 7 shqiptarë të tjerë mes të cilëve ishte edhe Admir Murataj.