Transmetuar më 22-04-2019, 14:07

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve, në të cilën edhe u vendos data e protestës së ardhshme të opozitës së bashkuar, u ndal edhe te zgjedhjet lokale të cilat i cilësoi një farsë, për faktin që opozita nuk do jetë pjesë e saj.

“Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që zgjedhjet në Shqipëri t’i organizojë dhe diktojë krimi. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017. Me Edi Ramën, Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot”, u shpreh Basha.

Më tej ai shton se “largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet. Vetëm zgjedhjet e lira do t’i kthejnë legjitimitetin institucioneve, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej një viti e gjysëm, Gjykata e Lartë nuk funskionon, Prokuroria e Përgjithshme ështe e paligjshme dhe kur Parlamenti ilegjitim është kthyer në vegël te krimit dhe oligarkisë, që po grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë mjerim dhe pasiguri kudo”.

Më herët u mësua se Partia Demokratike ka planifikuar që të mbajë më 11 maj në orën 18.30, e cila i bie e shtunë, protestën e radhës kombëtare. Bëhet fjalë për protestën e dhjetë të opozitës, ku pas djegies së mandateve të deputetëve, ato nuk janë ndalur.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sakaq lidhur me zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Partia Demokratike ka lajmëruar bojkotin. /b.l/noa.al/