Transmetuar më 21-04-2019, 23:21

Kryeministri Ramush Haradinaj dje në një postim në Twitter, të cilin më pas e ka fshirë, kishte shkruar se i dëshironte popullit ukrainas zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ai në këtë postim, ia kishte dëshiruar gjithë të mirat presidentit aktual Petro Poroshenko, dhe siç i ka quajtur ai kryeministrit të ardhshëm të Ukrainës, Vovan Lexusov e që është emër i shpikur prej dy komedianëve nga Moska.

Haradinaj në Twitter kishte shkruar se Kosova dhe Ukraina po qëndrojnë bashkë si popuj të lirë dhe prosperues.

Këtë postim e kishte vërejtur gazetari i The Guardianit, Shaun Walker, i cili ka pyetur me habi se si ende politikanët po bien pre e shakave të humoristëve nga Moska Vovan (Alexei Stolyarov) e Lexusov (Vladimir Kuznetsov).

Walker kishte shkruar se Vovan dhe Lexus i kishin thënë Haradinajt se do ta njohin Kosovën nëse ai fiton.

Gazetari i Guardian, i kishte bërë “screenshot” postimin e kryeministrit Haradinaj e më pas e kishte hedhur në Twitter.