Loading...
Nga Voltana Ademi: Si po e minon qeveria arsimin në Shkodër
Transmetuar më 21-04-2019, 18:20
Voltana Ademi

Nga Voltana Ademi

Nuk kam pritur asnjëherë lajme të mira për Shkodrën nga kjo qeveri. Edhe sot, erdhi një tjetër lajm i keq, i shëmtuar, në kufijtë e të pabesueshmes. Shkodra nuk do të ketë më Drejtori Arsimore Rajonale por do të jetë në varësi të Lezhës, ku do të ketë qendrën një nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar.

Së pari flas si ish- pedagoge, atëherë si qytetare e Shkodrës por edhe kryetare e Bashkisë. Kjo qeveri, ky kryeministër, merr përsipër të tejkalojë edhe diktatorin komunist për 45 vite. Edhe pse Shkodra e shkodranët përjetuan persekucionin më të egër në vend, Instituti i Lartë Pedagogjik ishte më cilësori në vend, duke i dhënë arsimit shqiptar mijëra mësimdhënës që u shquan me kontributin e tyre anëkend Shqipërisë.

E sot, kur Shkodra ka një universitet, Edi Rama po i heq Drejtorinë Arsimore Rajonale, duke e kthyer në një zyrë, si ato që sot janë në Pukë e Malësi të Madhe, në varësi të DAR Shkodër.

Unë nuk dua ta shikoj thjesht si çështje krenarie por e cënimit të mundësisë për zhvillim largimin e DAR nga Shkodra. Aq më shumë, kur kjo çmenduri e qeverisë aktuale (sepse nuk mund ti gjej emër tjetër), vjen pasi u larguan edhe dy drejtori të tjera të rëndësishme si ajo e Arkivave dhe e Ujrave.

Një logjikë normale njerëzore, nuk gjen një arsye, një motiv që të justifikojë këtë veprim të qeverisë. As edhe hakmarrja, përmes të cilës po e trajton Shkodrën prej 6 vitesh ky kryeministër, nuk mund të jetë motiv.

Sa nuk është vonë, i bëj thirrje publike Ministrisë së Arsimit, ministres Shahini dhe vetë kryeministrit Rama: Tërhiquni sa jeni në kohë! Tërhiquni sepse do të ndjeheni të turpëruar përjetë jo vetëm përballë Shkodrës e shkodranëve por edhe Shqipërisë e shqiptarëve kudo ku janë.

E në fund, dua t’u kujtoj se nuk mund ta gjunjëzoni Shkodrën! Nuk ia doli komunizimi me diktatorin Enver Hoxha, e nuk do t’ia dalë as neokomunizmi i ditëve të sotme.

Loading...
Loading...