Transmetuar më 21-04-2019, 14:58

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zbardhur mekanizmat kryesore përmes të cilave janë detektuar rastet kryesore të dyshimeve për pastrim parash. Tipologjia kryesore përbëhet nga transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje) me përfshirje të subjekteve/shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës.

Ndërkohë që edhe për këtë vit investimet në ndërtim kanë qenë ato që kanë ngjallur më shumë dyshime për pastrim parash. “Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh” thekson raporti.

Qarkullim i lartë i pazakontë i fondeve krahasuar me profilin financiar të subjektit ka qenë një tjetër tipologji që ka ngjallur shumë dyshime, bashkë me raste të shumta huadhënie/huamarrje apo dhurime në vlera të larta të pazakonta mes personave fizikë apo juridikë, transmeton ‘scan’.

Janë evidentuar gjithashtu derdhje apo tërheqje cash në vlera të larta dhe të pajustifikuara, mashtrime të formave të ndryshme, ashtu si dhe transaksione financiare të kryera nga persona me precedentë të mëparshëm penalë apo persona të lidhur me ata me precedentë. Ndërkohë që mos deklarim i shumave dhe sendeve me vlerë në kufi ka qenë një tjetër tipologji nga kanë ardhur disa prej raportimeve që janë dërguar në prokurori apo polici.