Loading...
Kthimi i 110 shqiptarëve të Kosovës në vendlindje, flet ministria e Drejtësisë
Transmetuar më 20-04-2019, 23:38

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, nëpërmjet një konference për media, ka njoftuar se 110 shtetas të Kosovës të cilët po qëndronin në Siri janë kthyer në vendlindje në orët e para të mëngjesit të së shtunës me një aeroplan nga Stambolli.

Tahiri tha se vendimi për t’i kthyer ata është angazhim që nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa task-forca është udhëhequr edhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA)dhe shteteve tjera që janë në aleancë kundër terrorizmit.

"Vendimin për kthimin e tyre në Kosovë është marrë në bashkëpunim me institucionet e vendit. Rastet e tyre do të vazhdojnë të trajtohen konform ligjeve në fuqi. Në rastin konkret kemi të bëjmë me gra dhe fëmijë shtetas të Kosovës", tha Tahiri.

Tahiri tregoi se fëmijët, pjesë e të rikthyerve, kanë kaluar një periudhë traumatike të rëndë, ndërsa tregoi se do të angazhohen që do të punojnë në integrimin e tyre.

Ai tha se aksioni në fjalë dërgon mesazh të qartë që Kosova nuk i braktis qytetarët e vet dhe "nuk i përkrah programet e terrorizmit".

Në konferencë ka marrë pjesë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qelaj, i cili tregoi se në Siri vazhdojnë të qëndrojnë ende luftëtarë nga Kosova.

"Policia e Kosovës duke u bazuar në mandatin e vet ka qenë pjesë koordinuese e këtij operacioni. Katër luftëtarë, 32 gra e 74 fëmijë, dy nga të cilët kanë humbur prindërit atje, janë kthyer në Kosovë. Ne mbetemi të përkushtuar që t’iu ofrojmë siguri këtyre të kthyerve nga Siria", ka thënë Qelaj.

Qelaj tregoi se në Siri po qëndrojnë ende 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka njoftuar për masat shëndetësore që do të ndërmerren për mos përhapjen e ndonjë sëmundjeje pas kthimit të shtetasve të Kosovës nga Siria.

Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria janë dërguar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll në Prishtinë, ndërsa katër luftëtarët janë arrestuar dhe është caktuar një mbajtje 48 orëshe. Pritet që Prokuroria Speciale të japë më shumë detaje rreth tyre.

Loading...
Loading...