Transmetuar më 20-04-2019, 12:21

Arqipeshkvi Metropolit Shkodër-Pult Angelo Massafra ka zgjedhur Ungjillin sipas Gjonit për të uruar besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve Katolike.

Ndër të tjera, Massafra uron besimtarët që të mikpresin kumtimin e emrit të Jezusit të Ngjallur, të cilit i kërkon të shpëtojë e lirojë Shqipërinë prej padrejtësive, mendjemadhësisë e etjes për pushtet.

“Jetojmë një moment të vështirë, të gjithë e ndiejnë vështirësinë për të jetuar që, ndonjëherë, i ngjan një lufte për mbijetesë. Le të mos shkurajohemi: të shikojmë gjithçka që kemi bërë në këto vite, të vlerësojmë ecjen që kemi bërë deri tani me shumë sakrifica. Secili prej nesh, sot, të bëjë pjesën e vet…e ardhmja është edhe në duart të secilit, përveç të Zotit.

Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mikprisni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje.

Ai na dhashtë guximin e nevojshëm për të fituar mbi çdo formë egoizmi, forcën për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të vëmendshme ndaj nevojave të më nevojtarëve dhe na dhashtë gëzimin e brendshëm e të thellë për të qenë qytetarë aktivë, të ndershëm dhe guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturor dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur. Për shumë vjet Pashkën të gjithëve”, thotë Masafra.