Transmetuar më 19-04-2019, 12:42

Tre aleatë të Partisë Demokratike, dorëzuan ditën e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e vetëdeklarimit, duke pranuar kështu marrjen e mandatit të deputetit.

Bëhet fjalë për Artur Roshin, kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Zef Shtjefnin, kryetar i partisë Ora e Shqipërisë dhe Nikolin Stakën i Lëvizjes Demokratike për Ndryshim.

Lidhur me këtë vendim kundër partisë së madhe aleate, ku Lulzim Basha dhe deputetët e tij vendosën të djegin mandatet, Roshi ka bërë një sqarim.

Ai thotë se Partia Demokratike që prej dy vjetësh ka organizuar tryeza të koalicionit opozitar vetëm me partitë parlamentare duke shpërfillur jo-parlamentarët besnikë.

“Edhe mbas “diegies” së mandateve që ishim të gjithë jo-parlamentarë sërish ne aleatët tradicionalë besnikë na la jashtë tryezave të saj. Unë pjesëmarrës në çdo protestë, por u ndjeva i fyer kur Basha lexoi emrat e çdo partie me përjashtim tonin si aleatë besnikë”, deklaron kryetari i PBKD.

Roshi thotë se ka sakrifikuar për Partinë Demokratike, por mori shijen e mosmirënjohjes.

Qëndrimi i plotë

Pse pranova të marr mandatin për në parlament?

Emri im në listat e PD tregon qartë se është pjesë e një marrëveshjeje që erdhi si detyrim për ne si aleatë për të mos garuar në zgjedhje dhe të votohej vetëm sigla e PD, pra de facto mandati që marr është i Ballit Kombëtar Demokrat sepse votat tona në gjithë Shqipërinë bëjnë të paktën dy mandate.

Sot po marr një mandat që të mohuar nga PD në 2017.

Lista e PD përfaqësonte listën e gjithë koalicionit Opozitar dhe si të tillë për “diegien “ e mandateve duhet të ishim pyetur nga PD para vendimit.

Kjo gjë nuk ndodhi as për etikë.

Kështu kemi një vendim thjesht të PD, i cili nuk shtrin efektin e tij tek unë që nuk jam anëtar i saj.

Megjithatë pavarësisht se isha skeptik për vendimin e saj,e përkraha si gjest politik që të jepte efekt duke vepruar mbi sedrën e kryeministrit për t’u tërhequr.

Efekti ishte zero mbi Ramën si njeri që pushtetin nuk e ndërron me asgjë morale.Pra kalkulimet politike të këtij akti janë bërë keq.

Sot edhe vetë vendim-marrësit, PD-ja pranojnë se ishte një veprim i gabuar,i fortë dhe kundër parimeve të demokracisë Euro-Atlantike.

Lind pyetja pse marrja e mandatit konsiderohet tradhti dhe jo një korrigjim i gabimit emocional e lajthitës të PD?

Kush është ndryshimi tek unë, dje opozitar jashtë parlamentit dhe sot po opozitar në parlament.

Nuk ka sens logjika se opozita jashtë Parlamentit do ta rrëzojë Ramën, ndërsa opozita në Parlament bashkëpunon me Ramën.

Opozitat janë opozita pavarësisht rrugëve të ndjekura dhe fuqisë së tyre.

Dje ishte në Parlament Opozita që është sot jashtë.

A ishte ajo bashkëpunëtore e Ramës? Me logjikën e vetë PD, Po.

Si ndryshoi brenda një dite nga bashkëpunëtore në të kundërtën e saj?

Shigjeta e të drejtës opozitare shkon nga shkon PD?

Kush e cakton statusin e opozitarit, -PD-ja?

Opozita nuk është tapi e më të fortit.

Në gjithë këto vite, PD është një parti opozitare parciale e Partisë Socialiste thjesht për pushtetin dhe jo Opozitare e filozofisë së majtë mbi të cilën qeveris ajo.

Kjo dukej dje dhe sot, sepse PD asnjëherë nuk vlerësoi dhe të tregonte mirënjohje për votat që merr nga ish të përndjekurit politikë,ish-pronarët,të cilët kanë treguar devotshmëri për të.

Unë vetë kam sakrifikuar për PD, kujtoj “çështjen e të ndjerit Hakile Rama”, dhe kam marrë prej saj shijen bajate të mosmirënjohjes. /a.y/noa.al