Transmetuar më 17-04-2019, 00:01

Viti 1999-të, është vit i jashtëzakonshëm për shqiptarët e Kosovë.

Një vit më parë kishte nisur lufta për çlirimin e Kosovës, por regjimi i Millosheviçit nuk njihte rregulla e ligje lufte.

U hakmor ndaj popullsisë civile, në të gjitha format. Synoi kolonizimin e vendit edhe përmes debimit masiv e me dhunë të popullsisë shqiptare, afro 500 mijë shqiptare u shpërngulën në Shqipëri.

Prej 20 vitesh, 16 prilli, rikthen në mënyrë simbolike ditët më të dhimbshme, por njëkohësisht dhe ditët e mirënjohjes dhe solidaritetit.

Qindra shqiptarë të Kosovës, në mënyrë të organizuar kalojnë përmes doganës së Morinit, për të ndarë një ditë me vëllezerit që për më shumë se 3 muaj në vitin 1999-të u hapën dyert e zemrat.

Ky 20 vjetor i Eksodit vjen dhe me një projekt të veçantë, bashkëfinancim i bashkisë së Kukësit dhe shoqatës “Jetimet e Ballkanit” me seli në Prizren.

Do ndërtojnë 25 shtëpi për familjet më në nevojë.

Çlirimi i Kosovës, pasoi dhe me pavarësinë e vendit, ndaj dhe festimet janë legjitime.

Edhe 20 vjetori i Eksodit që po përkujtohet në Kukës prej dy ditësh, u mbizotërua nga aktivitetet artistike, dhe një panair libri.

Ky panair, më së shumti tërhoqi vëmendjen e lexuesve me titujt kushtuar historisë së Kosovës dhe Shqiperisë në vitet 1998- 1999-të.