Transmetuar më 16-04-2019, 14:45

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie të veçantë, kontributet dhe sakrificat heroike të anëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”, të cilët dolën vullnetarë para 20 vitesh duke luftuar për lirinë e Kosovës.

Presidenti Meta dekoroi Batalioni “Atlantiku” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Me mirënjohje për ndjenjat më të larta atdhetare; si dhe në vlerësim të kontributeve të jashtëzakonshme të vullnetarëve shqiptaro-amerikanë të këtij batalioni, të cilët bënë sakrificat më sublime për çlirimin e Kosovës, dhënien fund të genocidit e spastrimit etnik në trojet shqiptare”.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, anëtarit të Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut Mark Gjonaj, pjesëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan, familjarëve dhe të afërmve të tyre, Presidenti Meta vuri në dukje se, “Dy dekada më parë, kur Kosova, por edhe kombi ynë po kalonte një nga momentet më të vështira në historinë e saj dhe po përballej me gjenocidin famëkeq të Sllobodan Millosheviçit, një numër i madh shqiptaro-amerikanësh vendosën të linin pas gjithçka kishin, që nga familja, shtëpitë dhe puna e tyre në SHBA, për t’iu bashkuar vullnetarisht luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Ata vullnetarë dhe atdhetarë, mund të shijonin mundësitë e mëdha që u ofronte Amerika, por thirrja e Atdheut për t’i ardhur në ndihmë Kosovës, për t’i ardhur në ndihmë e për të mbrojtur fëmijët dhe gratë e pafajshme, të cilët po masakroheshin nga ushtria dhe paramilitarët e Millosheviçit, ishte aq e fortë saqë u treguan të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka, madje edhe jetën e tyre”.

Ai tha se pikërisht në mars të vitit 1999 u krijua formacioni ushtarak i organizuar në Nju-Jork, që u pagëzua me emrin ‘Batalioni Atlantiku’, i përbërë nga vullnetarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare me banim në Amerikë.

Në radhët e tij Batalioni kishte ushtarë nga të gjitha trevat shqiptare, madje edhe nga ata që lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në një ceremoni solemne dhe madhështore me rastin e betimit si ushtarë të UÇK-së, në qytetin Jonkers të Nju-Jorkut, në oborrin e Hotelit ‘Royal Regency’, ishin tubuar mijëra shqiptarë, në mesin e tyre familjarë të ushtarëve, tashmë të mobilizuar dhe me uniformë ushtarake. Që aty nisi rrugëtimi i lavdishëm për Batalionin ‘Atlantiku’ që do t’i bashkohej luftës çlirimtare së Kosovës, duke shënuar një nga faqet më të rëndësishme, mëheroike dhe mëvetëmohuese të historisë së kombit tonë. Por, pjesëmarrja e Batalionit ‘Atlantiku’ në luftën për liri pati edhe pasojat e veta, pasi ky Batalion i dha lirisë së Kosovës tre ‘Dëshmorë’: vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi”, deklaroi Presidenti.

Sipas tij, vepra dhe sakrifica sublime e heronjve Bytyçi nuk do të vdesë kurrë dhe ajo do të jetojë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kudo në botë.

“Ata janë nderi i historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke lënë pas gjithçka kishin ndërtuar në mërgim, këta tre vëllezër të rinj që luftuan për lirinë e Kosovës, janë sot e përjetë krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe e mbarë kombit tonë, në altarin e heronjve të lavdishëm të shqiptarizmës”, tha Presidenti.

Në vijim shtoi se ata u shndërruan në një shembull të jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të lirisë dhe të emër të idealeve më të mëdha njerëzore, që sollën Kosovën e lirë dhe të pavarur.